Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Rasti i Azemit të VV-së dhe policit Berisha rrezikon parashkrimin, gjykata nuk jep sqarime

Rasti i Azemit të VV-së dhe policit Berisha rrezikon parashkrimin, gjykata nuk jep sqarime

Përveç faktit që aktakuza ndaj Egzon Azemit të VV-së është ngritur para gati 9 vjetëve, ky rast rrezikohet të mbetet i pazgjidhur për shkak të afatit të parashkrimit. Për këto çështje, “Betimi për Drejtësi” ka pyetur gjykatën, por s’ka arritur të marrë përgjigje.

Pas një periudhe kohore të përcaktuar ne Kodin Penal, lëndët gjyqësore konsiderohen të vjetruara apo parashkruhen. Në rastin konkret, sipas Kodit Penal qe ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, periudha e parashkrimit absolut në këtë rast është dhjetë vjet. Kjo do të thotë pas kalimit të kësaj periudhe, nga koha e kryerjes sa veprës penale, akuza refuzohet dhe të pandehurit nuk mund të gjykohen.

Meqë vepra penale për të cilën akuzohen Azemi dhe të tjerët kishte ndodhur në nëntor të vitit 2015, ky rast ka edhe rreth një vit kohë për tu trajtuar. Nëse nuk zgjidhet me aktgjykim përfundimtar deri në nëntor të vitit 2025, atëherë do të ketë një vendim gjyqësor, me të cilin do të konstatohet se lënda ka arritur afatin e parashkrimit.

Prokuroria e kishte ngritur aktakuzën më 16 dhjetor 2015, 28 ditë pas veprave penale të kryera, për të cilat akuzohen Azemi dhe të tjerët.

Deri më tani është mbajtur vetëm seanca fillestare e këtij rasti më 18 shtator për të akuzuarit Egzon Azemi, Luan Hoti dhe Naim Bunjaku.

Rrjedhimisht, gjykatës i janë dashur 8 vjet, 9 muaj e 3 ditë për ta përgatitur nisjen e këtij gjykimi ndaj tyre.

Ndërsa për të akuzuarit Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasni dhe Ardian Huli procesi gjyqësor është veçuar dhe po zhvillohet ndaras.

Për seancat e tjera, se sa janë caktuar, sa kanë dështuar, cilat kanë qenë arsyet e dështimit, cilat kanë qenë veprimet e gjyqtarit pas dështimit të tyre dhe kur është veçuar lënda ndaj tre të akuzuarve, Betimi për Drejtësi ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Por, deri tash nuk ka marrë përgjigje.