Çmimi Nobel në mjekësi iu dha të hënën shkencëtarëve amerikanë Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për zbulimin e mikroARN-së, përbërës i materialit gjenetik, që ndikon në mënyrën se si funksionojnë gjenet në nivel qelizor dhe që mund të çojë në mënyra të reja të trajtimit të kancerit.
Komiteti i Nobelit në Institutin Karolinska në Suedi tha se ky zbulim “është thelbësisht i rëndësishëm” për të kuptuar mënyrën sesi zhvillohen dhe funksionojnë organizmat.
MicroARN-ja krijon mundësinë për trajtimin e sëmundjeve si kanceri, pasi ndihmon në rregullimin e mënyrës sesi funksionojnë gjenet në nivel qelizor, tha Dr. Claire Fletcher, pedagoge e onkologjisë molekulare në Kolegjin Perandorak të Londrës (Imperial College London).
Dr. Fletcher tha se mikroARN-ja u jep sinjale qelizave të prodhojnë proteina të reja dhe sipas saj ka dy fusha kryesore ku ajo mund të ishte e dobishme: në prodhimin e barnave për trajtimin e sëmundjeve dhe përdorimi i tyre si biomarkues.
“MicroARN-ja ndryshon mënyrën se si funksionojnë gjenet në qelizë”, tha doktor Fletcher, eksperte e jashtme që nuk është pjesë e komitetit të që akordon çmimin Nobel.
“Ne mund të përdorim një mikroARN, që e dimë se ndryshon mënyrën se si funksionon një gjen i caktuar, duke e shpërndarë atë në qelizat kancerogjene për të ndaluar efektin e tyre”.
Victor Ambros e kreu hulumtimin e tij në Universitetin e Harvardit. Aktualisht ai është profesor i shkencave natyrore në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Masaçusetsit.
Gary Ruvkun e kreu hulumtimin në Spitalin e Përgjithshëm të Masachusetsit dhe në Shkollën Mjekësore të Harvardit, ku ai është profesor i gjenetikës.
Vitin e kaluar, çmimi Nobel në Mjekësi iu dha shkencëtares hungarezo-amerikane Katalin Karikó dhe amerikanit Drew Weissman për zbulimin që mundësoi prodhimin e vaksinave kundër COVID-19 që funksionojnë me teknologjinë mARN, një zbulim i rëndësishëm që çoi në ngadalësimin e pandemisë.
Çmimi Nobel shoqërohet me një vlerë monetare prej 1 milion dollarësh.
Të martën akademia do të shpërndajë çmimin Nobel në fizikë, më pas me atë në Kimi, Letërsi, duke përfunduar të premten me çmimin Nobel për Paqe./VOA/