Shkruar nga Afrim Kasolli
Derisa Kosova dhe Serbia, ka më shumë se një dekadë që po zhvillojnë negociata në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre me qëllim tejkalimin e një konflikti thuajse shekullor, megjithatë ato po përballen me një “armik” të përbashkët, betejën ndaj të cilit nuk ka shansa ta fitojnë. Këtu është fjala për fenomenin e depopullimit.
Sipas të dhënave demografike Serbia këtë vit është përballur me numrin me të ulët të lindjeve të gjalla që nga viti 1900. Po ashtu, trendet negative demografike kushtëzohen edhe nga migrimi, largimi i të rinjve nga Serbia etj. Përjashtim në këtë drejtim nuk bënë as Kosova. Të dhënat e fundit të regjistrimit nga ASK dëshmuan se në vitin 2024 popullsia del të jetë ndjeshëm më e vogël se në vitin 2011.
Natyrisht, këto dy shtete ato nuk janë të vetmuara në këtë betejë.Vende shumë më të fuqishme po ashtu janë të kërcënuara dhe të rrezikuara nga ky fenomen. Një trend i tillë thuajse është bërë global. Dhe mbase që nga koha e “Vdekjes së Zezë” në vitet 1300, për herë të parë bota ka hyrë atë që po quhet si “epoka e depopullimit”.
Kjo kthese pa dyshim se është “shkaktuar një dëshirë planetare për më pak fëmijë. Dhe kjo duhet të jetë një alarm për qeveritë dhe shtete anekënd botës. Sepse një tkurrje e tillë, do të ketë pasoja të shumëfishta. Shoqëritë do të përballen më me pak fuqi punëtore, ndërmarrës, etj, dhe gjithnjë e më shumë njerëz do të jenë të varur nga përkujdesja e moshës dhe asistenca.
Në këtë kontekst, Rusia ka përjetuar 17 milionë vdekje më shumë se sa lindje. Por më mirë nuk është as Ukraina që ndodhet në luftë me këtë shtet. Ngjashëm është situata edhe për vendet e Bashkimit Evropian. Franca ka pasur më pak lindje për herë të parë që nga 1806, vit ky kur Napeloni e fitoi Betejën e Jenës dhe Hegeli e kishte shkruar, “Fenomenologjinë e Frymës”. Italia po ashtu që nga viti 1861 kur ndodhi bashkim i saj. Spanja që nga viti 1859. E njëjta situatë është edhe në Gjermani etj etj. Rëniet dramatike kanë përfshirë gjithashtu Amerikën Latine, Azinë Lindore; Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, të Veriut etj.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë mbetur i vetmi vend që janë duke i rezistuar trendëve të depopullimit. Me nivele relativisht të larta të fertilitetit për një vend të pasur (ndonëse shumë nën nivelin e zëvendësimit—pak mbi 1.6 lindje për grua në 2023) dhe flukse të qëndrueshme emigrantësh, Shtetet e Bashkuara kanë dëshmuar atë që i njëjti autor kohë me parë e quante “përjashtimi demografik amerikan.”
Ndërkohë, kjo rënie e befasishme e fertilitetit ka mbetur “mister”. Pse pra si në vende të pasura edhe të varfra po bëhen kaq të zakonshme familjet me një fëmijë, ose pa fëmijë fare? Studiuesit ende nuk kanë arritur të japin një përgjigje për këtë pyetje. Sipas Nicholas Eberstadt, është e dukshme, për shembull, se një revolucion në familje—në formimin e familjes, jo vetëm në lindje—po ndodh në shoqëritë në të gjithë botën. Shkaktarët e këtij revolucioni përfshijnë atë që studiuesit e quajnë “ikja nga martesa,” me njerëzit që martohen në moshë më të vonë ose nuk martohen ; përhapjen e bashkëjetesës jashtë martesës dhe bashkimeve përkohshme; si dhe rritjen e banesave, shtëpive, ku një person jeton në mënyrë të pavarur—me fjalë të tjera, vetëm. Është e habitshme se si këto preferenca të zbuluara janë bërë kaq shpejt të zakonshme pothuajse në çdo kontinent. Njerëzit në të gjithë botën tani janë të vetëdijshëm për mundësinë e mënyrave të jetesës shumë të ndryshme nga ato që i kufizuan prindërit e tyre. Sigurisht, besimi fetar—i cili përgjithësisht inkurajon martesën dhe feston rritjen e fëmijëve—duket se është në rënie në shumë rajone ku lindshmëria po bie ndjeshëm. Përkundrazi, njerëzit e vlerësojnë gjithnjë e më shumë autonominë, realizimin e vetvetes dhe lehtësinë. Dhe fëmijët, megjithë gëzimin që mund të sjellin, po bëhen të padëshirueshëm.
E këto lëvizje nuk ka dyshim se do të kenë edhe implikime gjeopolitike. Bie fjala tendenca e Kinës , Rusisë, Iranit dhe Kores së Veriut për revizionizëm gjeopolitik ndaj rendit ndërkombëtar të drejtuar nga SHBA-të, do të sfidohet pikërisht nga këto rryma demografike.
Në këtë kontekst Kosova dhe Serbia mund të jetojnë pafundësisht në këtë rreth vicioz, por po ashtu edhe ardhmja e këtyre vendeve është e zymtë nga ky “ligj” i pashmangshëm demografik. Shpresat e tyre se mund ta ndërrojnë këtë kahje më mbështetje financiare për lindjet e reja, tregon se sa naive janë kalkulimet e drejtueseve të tyre ne këtë drejtim. Sepse po të ishte ky motivi themelor, atëherë shtete shumë më të pasura do ta zgjidhnin më kohë këtë problem, e jo të vareshin nga emigrimi për ta mirëmbajtur ritmin e tyre ekonomik.