Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Vija patriotike tmerron pushtuesit

Vija patriotike tmerron pushtuesit

Nga Agron Hoti

Aq sa e duam kombin dhe të kaluarën e tij, aq shtet dhe të ardhme kemi. Pushtuesit historikisht investojnë që vijën patriotike të kombit të pushtuar ta poshtërojnë, zhvlerësojnë dhe nëse e mundshme ta zhdukin tërësisht.

Pra, pushtuesit paskan të drejtë t’i lartësojnë zgjerimet e tyre përmes pushtimeve, kurse ne s’paskemi të drejtë ta lartësojmë historinë tonë të dhimbshme çlirimtare. Popujt euroaziatikë lartësojnë pushtimet e tyre si lulëzim qytetërimesh të tyre, ndërsa popujt e pushtuar u dashka t’i shohin ato pushtime po ashtu si lulëzim e qytetërim e asesi si pushtim.

Shqiptarët e kanë përjetuar dhe po e përjetojnë këtë fenomen në kurriz të tyre:

– ka një mega-investim që Skënderbeu më Çlirimtarët e tij të paraqitet si tradhëtar i kombit shqiptar. Sot, për një pjesë të shqiptar zezës tradhëtar kombi ishte Skënderbeu, ndërsa shpëtimtar pushtuesi osman, deri këtu ka arritur çmenduria;

– ka një mega-investim që Rilindja Shqiptare e Abdyl Frashërit e deri te Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali ta paraqiten si gabim historik dhe të panevojshme, sepse sipas një pjese të shqiptar zezës ne shqiptarët paskëshim qenë shumë mirë nën pushtimin osman;

– ka një mega-investim që lufta çlirimtare e shqiptarëve sikurse tërë bota kundër fashizmit dhe nazizmit të paraqitet si tradhëti kombëtare. Sot, për një pjesë të shqiptar zezës Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë paraqitet si tradhëtare, kurse pushtuesi fashist dhe nazist si shpëtimtar;

– ka një mega-investim që lufta e UÇK-së të poshtërohet e zhvlerësohet aq shumë sa ajo të vlerësohet si gabim historik dhe e panevojshme. Sot, për një pjesë të shqiptar zezës Krerët e UÇK-së janë tradhëtarët e kombit, kurse shpëtimtarë Millosheviqi e Vuqiqi bashkë me një armatë të tërë të kolaboracionistëve shqiptarë. Demek patriotë paskan qenë Azem Vllasi e Rrahman Morina, kurse tradhëtarë Adem Jashari, Ukshin Hoti e Adem Demaçi bashkë tërë Krerët e UÇK-së, pavarësisht që këta të fundit edhe sot po paguajnë çmim lirie në Hagë e dikush po e shijon Kosovën shtet të çliruar, pavarësuar dhe shtetndërtuar për herë të parë në histori;

– ka një mega-investim pas luftës kryesisht edhe përmes fesë që shqiptarët të zhvendosen nga Evropa në Azi, që e kaluara jonë të paraqitet si aziatike e asesi evropiane.

Pra, qëllimi i pushtuesve është që të thonë i) që në këtë tokë s’ka luftuar askush kurrë për çlirim dhe shtetndërtim, edhe ata që kanë luftuar kanë që që të gjithë tradhëtarë; ii) që ne jemi popull pa histori; iii) që çlirimi dhe pavarësimi i hapësirave shqiptare ka qenë gabim historik; iv) që jetesa në pushtimin osman dhe sllavo-grek ka qenë shumë më e mirë sesa sot jashtë zgjedhës së tyre, etj.

Për fund më duhet ta përsëris, përderisa serbët ndihen krenarë për terrorin dhe gjenocidin e Millosheviqit mbi shqiptarë, një pjesë e shqiptar zezës po aq krenar sa serbët s’lë gurë pa lëvizur për ta barazuar me Millosheviqin tërë vijën historike patriotike shqiptare përfshirë këtu dhe Krerët e UÇK-së.

Fakti që një pjesë e shqiptarëve u bënë dëshmitarë kundër Krerëve të UÇK-së e asesi kundër gjenocidit të Millosheviqëve që zgjati mbi 100 vite, flet shumë për frymën e ndërtuar nga pushtuesit për të na e poshtëruar, zhvlerësuar dhe pse jo zhdukur tërë shpirtin patriotik, për të na thënë në fund që ju shqiptarët s’keni asnjë patriot që lufton për çlirimin e tokës suaj.
E kur i shohim të gjitha këto mega-investime secila më antishqiptare se tjetra, duhet ta kuptojmë se sa jetike për këtë tokë ishte vija patriotike, e cila sado e vogël në numër, ishte kurrizi i kombit shqiptar. Ku dhemb dhëmbi shkon gjuha: prandaj pra pushtuesit ndjekin e përndjekin vetëm atë që i kthen pushkën e kurrë kolaboracionistin.

Prishtinë, 11 tetor 2024