Alexander Kasanof, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor gjatë qëndrimit të tij në Serbi ditën e djeshme, ka dhënë një intervistë për mediumin serb “Kurir”, ku ka thënë se Washingtoni sheh një mundësi integrimi në strukturat euroatlantike për Ballkanin Perëndimor, që sipas tij “ofron perspektivë për shumë gjëra dhe mundësi të mëdha ekonomike”.
“Ne besojmë se ofron një mundësi unike për të harruar të kaluarën, luftërat e viteve nëntëdhjetë dhe nacionalizmin dhe gjithçka që ai bëri në këtë rajon. Është një kohë e shkëlqyer për të shfrytëzuar këtë mundësi, agjendën e reformave, e cila është para të gjitha vendeve, përfshirë Serbinë, dhe për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian”, tha Kasanof.
Kasanof iu referua negociatave në lidhje me Kosovën dhe sanksionet me të cilat ndodhet Qeveria e Kosovës për shkak të “veprimeve të njëanshme”.
“Pikërisht për shkak se e dimë se situata është e vështirë, duhet të vazhdojmë të punojmë në të, të bëjmë përparim në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara në atë dialog, në mënyrë që të mund të përparojmë drejt paqes, ndjenjës së qetësisë dhe normalitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.
Dy pikat më të nxehta të rajonit janë Bosnja Hercegovina dhe Kosova, ndaj Kasanof zbuloi kjo ishte edhe një nga arsyet e vizitës së tij në rajon.
“Fatkeqësisht, historia na mëson se konfliktet mund të kalojnë edhe përkundër faktit se ne përpiqemi t’i parandalojmë ato, megjithatë, kjo është një pjesë e arsyes së vizitës sime në këtë rajon, ndaj po flas me qeveritë në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë, që është ndalesa ime e radhës. Qëllimi është të punojmë së bashku, të parandalojmë mundësinë e konfliktit dhe të përfitojmë realisht nga ky moment, pra të kthejmë faqen në episodin e keq nga e kaluara dhe të parandalojmë që konflikti të përhapet”, tha Kasanof.