Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ka zhvilluar vetëm një bisedë me kriminelin Milan Radoiçiq përmes telefonit të Sllavko Simiqit.
“Vetëm një bisedë po e ritheksoj vetëm një bisedë përmes telefonit të Sllavko Simiqit ka ndodhur me insistimin e tij me kryekriminelin Milan Radoiçiq kur ai ka insistuar që ai ta lidhë atë në telefon për çështje të sigurisë për Vallaçin, gjegjësisht për marrëveshjen e energjisë”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
“Në asnjë formë ose në asnjë komunikim nuk ka qenë me Listën Serbe për Ligjin për Pagën Minimale. Rrjedhimisht, incizimet e brendshme janë të fabrikuara për të cilat unë sot kam qenë në Polici dhe Prokurori dhe kjo do t’i bashkëngjiten që veçse vitin e kaluar e kam dorëzuar kallëzimin penal për ish-deputetin Sllavko Simiq. Një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim dhe në pikëpyetje integritetin dhe personalitetin tim, pozicionimin politik timin dhe të GP dhe të Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë qëllim tjetër përveçse ta përdorë Listën Serbe ende si faktor politik përkundër që Lista Serbe zyrtarisht që dy vjet e gjysmë asnjë ndikim nuk e ka as në Kuvendin e Kosovës as në ndonjë instancë tjetër.
“Fatkeqësia për ata që ju mungon është se tash po mundohet që me fabrikimet ta sjellin Listën Serbe në opinion, ta pastrojnë personalitetin e Radoiçiqit, kryekriminelit dhe Sllavko Simiqit. Është për keqardhje që Simiqi që ka kallëzim nga viti i kaluar, që hetimet po zhvillohen prokuroria i jepet hapësirë dhe në fakt i jepet më shumë besim e kredibilitet”.
“Në maj të vitit 2022 me 74 vota për kalon në lexim të parë Ligji për Pagën Minimale. Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes me grupin multietnik i kanë 64 deputetë. Asnjë bisedë paraprake, asnjë kërkesë për mbështetje nuk i është bërë Listës Serbe, në të kundërtën janë pyetur pse kanë hyrë në sallë në momentin kur ka dalë PDK nga salla. Ka qenë një dakordim dhe konspiracion i tyre i përbashkët për ta nxjerrë atë foto që po e nxjerrin tash në media”.
“Një matematikë e thjeshtë e tregon se ne s’kemi pasë nevojë për mbështetje të tyre”.
Ajo e ka quajtur Listën Serbe organizatë kriminale./Express/