Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës ka kërkuar që pikat e përcaktuara për seancën e sotme të Kuvendit të shtyhen për një seancë tjetër dhe sot të diskutohet për “involvimin e Milan Radoiçiqit në vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës”.
Abelard Tahiri iu referua një bisede telefonike të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me terroristin serb, Milan Radoiçiq, që kishte qenë nënkryetar i Listës Serbe.
“Jemi njoftuar edhe me fakte të reja për involvimin e kryeterroristit Milan Radoiçiq në vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës”, tha fillimisht Tahiri. Ai tha se Kusari-Lila dhe Radoiçiq “e kanë përcaktuar pagën minimale në Republikën e Kosovës”.
“Po ashtu, përmes këtij koordinimi, këta dy persona i kanë lënë jashtë pagës minimale kategoritë më të ndjeshme në vendin tonë: veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve. Ajo që është më tragjike, shkon në faktin që të dy bashkë paskan pasë kandidatë të përbashkët për Gjykatë Kushtetuese. Këtu dua t’i falënderoj një pjesë të vogël të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që së bashku e kemi pamundësuar që kandidatin e Milanit dhe Mimozës, tashmë personin që shërben si zëvendësministër i Drejtësisë, Vigan Qorrolli ta pamundësojmë shkuarjen e tij në Gjykatën Kushtetuese si gjyqtar”, tha ai.
Kusari-Lila ka mohuar koordinimin me Radoiçiqin, duke thënë se i kanë pasur “64 deputetë” nuk kanë pasur nevojë “për mbështetjen e tyre”.