Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar për arrestimin e një personi pasi gazetari Vehbi Kajtazi publikoi mesazhe kërcënuese që i kishin ardhë nga ai.
Policia fillimisht e ka arrestuar të dyshuarit, ndërsa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave rreth kërcënimit që ka marrë gazetari V.K., për shkak të punës dhe profesionit të tij, Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të identifikimit të dyshuarit dhe sigurimit të prezencës së të njëjtit në procedurën penale”.
“Veprimet e ndërmarra kanë rezultuar fillimisht me arrestimin e të dyshuarit nga Policia e Kosovës, ndërkaq, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Kanosja”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria, thotë se në koordinim me Policinë po vazhdon me “ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore lidhur me këtë rast”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur “shqetësim të jashtëzakonshëm” për kërcënimin me jetë që iu bë Vehbi Kajtazit.
AGK-ja kërkoi nga organet e rendit që të ofrojnë siguri për gazetarin dhe ta trajtojnë “me urgjencë kërcënimin që ai ka marrë mbrëmjen e 8 tetorit”.