Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Florida përgatitet për uraganin ‘Milton’

Florida përgatitet për uraganin ‘Milton’

Presidenti Joe Biden anuloi dje një udhëtim të planifikuar në Gjermani dhe Angola, për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara dhe mbikëqyrur reagimin ndaj uraganit ‘Milton’.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, stuhia e fuqishme po godet shtetin e Floridës disa ditë pasi uragani ‘Helene’ shkaktoi viktima dhe dëme të shumta në juglindje të Shteteve të Bashkuara.

Banorët e Floridës po marrin masa për uraganin ‘Milton’, më pak se dy javë pasi shteti juglindor amerikan u godit nga uragani ‘Helene’.

“Jam e frikësuar. Është keq. Po evakuohemi në një hotel shumë larg”, thotë Angela Rivera, banore e Floridës.

“Është shumë e frikshme. Në gjithë jetën time, ky është uragani më i frikshëm që kemi pasur ndonjëherë”, thotë Matthew Betta, banor i Floridës.

Uragani ‘Milton’ parashikohet të arrijë në tokë të mërkurën në mbrëmje me erëra më të fuqishme se të uraganit ‘Helene’.

Presidenti Joe Biden shtyu udhëtimin e tij në Gjermani dhe Angola, që ishte planifikuar për të entjen, për të mbikëqyrur reagimin ndaj uraganit.

“Guvernatori i Floridës ka qenë bashkëpunues. Ai tha se ka marrë gjithë masat. Bisedova përsëri me të dhe i thashë se po bëni një punë të shkëlqyer. E falenderova dhe i dhashë numrin tim personal të telefonit”, tha Presidenti Biden.

Me më pak se një muaj para zgjedhjeve, ish-Presidenti Donald Trump ka deklaruar se qeveria federale po bën pak për të ndihmuar viktimat e uraganit.

Kandidati republikan u përpoq të fitonte pikë politike duke i lidhur pretendimet e tij me rivalen demokrate, Nënpresidenten Kamala Harris.

“Ai dhe ajo po dërgojnë qindra miliarda dollarë në vende të huaja. A e dini se çfarë po u japin njerëzve tanë? 750 dollarë”, tha zoti Trump.

Zonja Harris e ka akuzuar rivalin Trump për përhapje të dezinformatave.

“Është jashtëzakonisht e papërgjegjshme. Ai e ka për vete, jo për ju. Realiteti është se Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave ka shumë burime në dispozicion për njerëzit në nevojë”, tha zonja Harris.

Ndërsa politikanët shkëmbenin sulme, banorët e Floridës po zbatojnë urdhrat e evakuimit të lëshuara nga guvernatori i tyre, Ron DeSantis.

“Kemi aktivizuar 8 mijë trupa të Gardës Kombëtare për të ndihmuar. Kemi në dispozicion 34 avionë kërkim-shpëtimi. Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë burime para një stuhie”, tha ai.

Pavarësisht tensioneve të raportuara më herët, republikani DeSantis tha se ka marrë mbështetjen e nevojshme nga administra e Presidentit Biden

Uragani Milton po i afrohet me shpejtësi brigjeve perëndimore të Floridës./VOA/

Powered by WordPress