Izedin Bytyqi, i cili është shoqëruar sot në Polici nën dyshimin për vepra penale që ndërlidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, është një zyrtar me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
I njohur tashmë për organet e drejtësisë, Bytyqi akuzohet për përfshirje në rastin e keqpërdorimeve të dyshuara në një tender disa milionësh për rrugën Prizren-Prevallë.
Para se të ushtrojë funksionin e sekretarit në Ministrinë e Infrastrukturës, Bytyqi ka shërbyer edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në kohën kur ministria udhëhiqej nga Arban Abrashi.
Izedin Bytyqi ishte raportuar të ketë ushtruar ndikim në punësimin e resë së ish-kreut të LDK-së, Isa Mustafa. Edita Bajrami, gruaja e Besnikut, djalit të ish-kryeministrit Isa Mustafa ishte angazhuar si eksperte për të ndihmuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në rishikimin e Strategjisë Sektoriale.
Angazhimin e resë së ish-kryeministrit Mustafa më 2017 e pati konfirmuar po Izedin Bytyçi, ish-sekretari në MPMS. Ai pati thënë se Edita ishte angazhuar në kuadër të një projekti që, sipas tij, Ministria e pati ndërmarrë në bashkëpunim me Komisionin Evropian për rishikimin e një strategjie të ministrisë.
Njeriu që në dy mandate kishte shërbyer si sekretar në ministritë e udhëhequra nga LDK-ja nuk e kishte deklaruar pasurinë në vitin 2011, derisa ishte udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, Bytyqi ishte shkarkuar edhe një herë tjetër në mars të vitit 2021, ku atë kohë ministria e Infrastrukturës, udhëhiqej nga Arban Abrashi.
Në dy vitet e fundit, ai ka shërbyer si zëvendësekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të udhëhequr nga Liburn Aliu i Lëvizjes Vetëvendosje.