Deputeti nga PDK-ja, Hisen Berisha permes nje prononcimi për TV Arbëria, ka komentuar rreth performancës se opozitës në Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, shkruan TV Arbëria.
Berisha ka thënë se janë disa faktorë që kanë ndikuar në efektivitetin e opozitës në Kuvend, për sa i përker dialogut.
Deputeti i PDK-së thekson se Kushtetuta e Kosovës i jep disa detyrime Qeverisë, por sipas tij këto detyrime nuk janë respektuar nga qeberisja Kurti.
“Kushtetuta i jep qeverisë mandatin për të udhëhequr procesin e dialogut, por ajo ka shkelur shpesh këtë mandat duke mos respektuar kërkesat e Kuvendit dhe opozitës për transparencë. Edhe pse e ka detyrim ligjor e kushtetues, bazuar edhe në platformën për dialogut të votuar në Kuvrnd që të rapprtoj para të njëjtit para e pas takimeve të dialogut. Po ashtu, e ka drtyrim që çdo dokument që prodhohet nga dialogu të kaloj rrugët kushtetuese të ratifikimit”, ka thënë Hiseni për TV Arbëria.
Sipas Berishës, pushteti ka penguar përpjekjet e opozitës për të kërkuar llogaridhënie.
“Megjithatë, duhet theksuar që sfidat kryesore nuk kanë ardhur si pasojë e një “indiference” të opozitës, por më shumë nga veprimet e qeverisë që kanë penguar përpjekjet e saj për të kërkuar llogaridhënie”, ka deklaruar ai.
Tutje Hiseni deklaron se opozita nuk ka qenë indiferente në këtë proces, madje ai ka thënë se kjo qeverisje është sfiduar në disa aspekte nga joshumica.
“Opozita nuk ka qenë indiferente ndaj procesit të dialogut. Përkundrazi, ajo ka tentuar të sfidojë qeverinë dhe të kërkojë transparencë në mënyrë të vazhdueshme, duke dhënë alternativa, e duke kërkuar sqarime e interpretime përmes interpelancave dhe pyetjeve parlamentare. Qeveria, megjithatë, ka shfrytëzuar shumicën parlamentare për të shmangur raportimin dhe llogaridhënien, duke e bërë të vështirë që opozita të ketë një ndikim të fuqishëm. Një pjesë e kësaj “indiference” e perceptuar mund të jetë rezultat i ndarjeve politike dhe të fragmentimit brenda opozitës, që kanë penguar krijimin e një strategjie të përbashkët për të sfiduar qeverinë më fuqishëm. Gjithashtu, disa forca opozitare kanë qenë të kujdesshme që të mos duken si sabotues të procesit të dialogut për të shmangur përçarjen e opinionit publik në një çështje të ndjeshme si dialogu me Serbinë”, ka thënë deputeti.
Ai ndër të tjera ka thënë se, ka disa raste ku kryeministri Kurti është tallur me procesin parlamentar.
“Opozita ka pasur në dispozicion disa mjete, si thirrja e kryeministrit për raportim në Kuvend dhe përdorimi i komisioneve hetimore, por qeveria ka bllokuar shumë nga këto përpjekje. Në disa raste, kryeministri është tallur me Kuvendin dhe procesin parlamentar, duke e keqpërdorur shumicën që ka në mazhorancë për të shmangur përgjegjësinë. Përveç kësaj, komisionet hetimore që janë ngritur për të adresuar çështje të rëndësishme si politika e jashtme, energjia dhe rezervat shtetërore janë sabotuar nga qeveria, duke penguar punën e tyre. Nga ana jonë, si opozitë, kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për të kushtëzuar procesin, përfshirë këtu bllokimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe agjendës ligjore, por mazhoranca ka penguar çdo iniciativë të tillë”.
Hiseni Berisha, gjithashtu thotë se ka kërkuar që të hetohet procesi politik i dialogut nga mekanizma ndërkombëtar.
“Në këtë kontekst, unë personalisht kam kërkuar që të hetohet i gjithë procesi politik i dialogut dhe dokumentet e prodhuara të jenë objekt hetimi nga një mekanizëm ndërkombëtar, siç është FBI, për të siguruar një transparencë të plotë dhe llogaridhënie nga qeveria. Ndërkohë opozita nuk ka ndjekur rrugën e opozitarizmit destruktiv, siç është parë në të kaluarën, përmes sulmeve ndaj institucioneve dhe propagandës së brendshme dhe ndërkombëtare që përçan vendin. Si opozitë, kemi përdorur në mënyrë të përgjegjshme të gjitha instrumentet ligjore dhe kushtetuese në dispozicion, përfshirë kushtëzimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe agjendës ligjore.
Por në asnjë mënyrë nuk kemi ndjekur dhe nuk do të ndjekim rrugën e opozitarizmit destruktiv, siç e kemi parë nga LVV në të kaluarën me rrevolucionin me shami të kuqe, sulme ndaj institucioneve dhe policisë, apo propagandë që e ka portretizuar Kosovën si një shtet të mbytur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni”, ka deklaruar ai.
Përpjekjet e opozitës për të kërkuar llogaridhënie nga shumica parlamentare, sipas deputetit Berisha kanë qenë të kufizuara, pasi thotë se Qeveria ka bllokuar çdo përpjekje për transparencë dhe përfshirje në kuvend.
“Në përfundim, përpjekjet tona për të siguruar llogaridhënie kanë qenë të kufizuara, jo për shkak të mungesës së angazhimit, por për shkak të një qeverie që ka bllokuar çdo përpjekje për transparencë dhe përfshirje të Kuvendit. Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë me një opozitarizëm konstruktiv, që mbështetet mbi ndërtimin e shtetit dhe ruajtjen e arritjeve të tij. Përkundrazi, ne jemi një opozitë që kemi ndërtuar këtë shtet, kemi luftuar dhe sakrifikuar për liri, pavarësi dhe institucione, dhe jemi të përkushtuar të mbrojmë arritjet e deritanishme”, ka thënë Hisen Berisha për TV Arbëria.