Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Paralajmëron Haliti: Do ta thellojmë bindjen e popullit që ne do të qeverisim shumë më mirë se VV-ja

Paralajmëron Haliti: Do ta thellojmë bindjen e popullit që ne do të qeverisim shumë më mirë se VV-ja

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka komentuar deklaratën e Kurtit ku tha se nga opozita pritet fushatë me shpifje për të minimizuar sukseset e Qeverisë së tij. Haliti thekson se, Kurti e ka kuptuar që autoriteti i tij politik po pëson rënie, teksa përmendi edhe arsyet.

“Si duket, Kurti e ka konstatuar që autoriteti i tij politik është në rënje, mbështetja e masave të gjëra është në rënje dhe sondazhet nuk po i dalin sipas planeve të tij të dëshiruara. Disa nga arsyet janë të ditura: pritjet e mëdha nga kjo qeveri, të cilat, bazuar në propagandën e Kurtit gjatë kohës së opozitës, kanë sjellë zhgënjim dhe mosbesim në raport me premtimet e bëra. Ka premtuar zhvillim ekonomik, punësim, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, arsimim më të mirë, shërbime më të mira në shëndetësi. Asnjërën nuk e bëri! Përkundrazi, Kosova po zbrazet dita ditës më shumë nga rinia, inteligjenca dhe profesionistët e ndryshëm, të cilët po konkurojnë në tregun e punës në vendet e BE-së etj”, tha Haliti.Haliti tutje thotë se kryeministri Kurti po tenton t’i frikësojë qyetetarët përmes deklaratave të tij për luftë, teksa thotë se me këtë frikësoi edhe investitorët e huaj.

“Premtimet politike lidhur me avancimin e statusit të Kosovës dhe raportet me institucionet ndërkombëtare janë të atilla që nuk kanë avancuar, por kanë degraduar dhe na kanë sjellë në një situatë të pafavorshme dhe mosbesim ndaj Qeverisë së Kosovës, veçanërisht në raport me vendet mike, të cilat po shprehin pakënaqësi lidhur me mënyrën e qeverisjes, ndërtimin e raporteve dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtarisht të obligueshme”, thotë Haliti.“Po fut frikë e panik tek qytetarët lidhur me mundësinë e fillimit të një lufte ndërmjet Kosovës e Serbisë, gjë që po i frikëson investitorët e huaj për të investuar në Kosovë. Politikisht, nga një vend i viktimizuar, po prezantohet një politikë agresive dhe të papranueshme, gjë që i ka hapur rrugë investitorëve të huaj të investojnë jashtë Kosovës”, shton ai.

Haliti, ka deklaruar se opozita ka të drejtë të zhvillojë betejën e saj për të parandaluar vazhdimin e qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti. Ai theksoi se PDK e pranon dhe është e angazhuar të përmirësojë gabimet e saj nga periudha e kaluar në qeverisje.Haliti shtoi se partia po analizon të metat në politikat e brendshme dhe të jashtme, duke përfshirë politikat e sigurisë, ekonomisë, zhvillimit, si dhe ato sociale, arsimore dhe shëndetësore. Ai shprehu besimin se PDK do të qeverisë më mirë se Vetëvendosja (VV).

“Është krejtësisht normale që opozita të zhvillojë betejën e saj për të mos i lënë mundësi Kurtit të vazhdojë të qeverisë, sepse ne si PDK, së pari i kemi njohur gabimet dhe të metat tona gjatë kohës kur kemi qeverisur. Jemi të vendosur që të përmirësohemi në raport me këto të meta. Po i analizojmë të metat në politikat e brendshme, të jashtme, politikat e sigurisë, politikat e ekonomisë dhe zhvillimit, politikat sociale, arsimore dhe të shëndetësisë. Do ta thellojmë bindjen e popullit që ne do të qeverisim shumë më mirë se VV.Normalisht, të metat e kësaj qeverie do t’i nxjerrim në pah. Kurti duhet të përballet me argumente krahasuese ashtu si opozita. Mendoj se askush s’mund ta mashtrojë më popullin; ata po na vrojtuan dhe na analizojnë, jo përmes inteligjencës artificiale, por mbi bazën e të arriturave të secilës qeveri veç e veç, secilit kandidat dhe deputet, si dhe secilit kandidat për kryeministër të Kosovës.

Mënyra e qeverisjes duhet të ndryshojë; jemi në dekadën e tretë të shekullit 21. Përballja jonë me sfidat e kohës duhet të jetë duke u vënë tërësisht në shërbim të qytetarëve dhe të mirave që sjellin dobi e prosperitet njerëzimit”, përfundon Haliti.