Koordinatori i Departamentit të Financave në PDK, Arben Mustafa, ka thënë se nga viti 2022 deri në 2023, në Kosovë ka pasur mbi 13 mijë biznese më pak.Mustafa, që është edhe ekspert i ekonomisë, në profilin e tij në Facebook këtë zhvillim e ka quajtur shqetësues.
“Në vitin 2023, Kosova kishte 13,302 biznese më pak sesa në vitin 2022. Ky fakt shqetësues tregon se Kosova po bëhet çdo ditë e më pak tërheqëse për të bërë biznes. Pra, jo që nuk po arrijmë të tërheqim investime të jashtme, por nuk po arrijmë as t’i mbajmë bizneset ekzistuese në Kosovë”, tha Mustafa.Rënia e numrit të bizneseve, sipas Mustafës, është në të njëjtën linjë me rënien e vazhdueshme të investimeve të sektorit privat dhe përkeqësimin e deficitit tregtar në nivelin më të lartë që kemi pasur ndonjëherë.
“Kosova nuk mund të vazhdojë me këtë trend degradimi, që po reflektohet në përkeqësimin e standardit të jetesës së çdo qytetari”, tha Arben Mustafa.