Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Izraeli thotë se ka nisur sulme “të shënjestruara dhe precize” në Liban

Izraeli thotë se ka nisur sulme “të shënjestruara dhe precize” në Liban

Ushtria izraelite tha më 1 tetor se ka nisur sulme “të shënjestruara dhe precize” brenda Libanit në atë që e quajti një inkursion tokësor “të kufizuar”, që filloi gjatë natës.

Izraeli shtoi se trupat e saj ishin përfshirë në “luftime të ashpra” me Hezbollahun, grupin militant të mbështetur nga Irani, që kontrollon shumicën e zonës.

Ky hap i Izraelit erdhi pavarësisht kundërshtimeve të SHBA-së, mes frikës për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ushtria gjithashtu paralajmëroi civilët që të evakuonin dhjetëra vendbanime kufitare libaneze disa orë pasi njoftoi për nisjen e ofensivës tokësore.

Hezbollahu tha se kishte reaguar ndaj ofensivës izraelite duke lëshuar një breshëri raketash drejt Izraelit, përfshirë një drejt agjencisë së tij të inteligjencës afër Tel Avivit.

Hezbollahu është e shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë krahun e tij ushtarak, por jo edhe partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Një zyrtar i sigurisë izraelite tha se njësitë elitare dhe parashutistët ishin të përfshirë në inkursionet në Libanin jugor.

Më herët, Avichay Adraee, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, shkroi në një mesazh të publikuar në arabisht në Telegram se “luftime të ashpra” po ndodhnin në Libanin jugor.

“Për sigurinë tuaj personale, ju kërkojmë të mos udhëtoni me automjete nga veriu në zonën jugore të Lumit Litani”, tha ai.

Adraee tha se operacioni përfshinte Divizionin e 98-të, që së fundmi ishte dislokuar në veri nga Gaza, dhe do të synonte bastionet e Hezbollahut.

Izraeli ka premtuar të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Hezbollahut dhe ka shpallur zonë ushtarake në disa pjesë të kufirit të tij verior me Libanin, pavarësisht thirrjeve nga mbarë bota për të ulur tensionet./REL

Powered by WordPress