Nëse zgjedhjet në Podgoricë do të ndikojnë në stabilitetin e Qeverisë së Malit të Zi, do të varet nga aleancat paszgjedhore, thotë për Radion Evropa e Lirë analistja politike, Nikolleta Gjukanoviq.
Zgjedhjet në Podgoricë janë një lloj testi për forcat politike në këtë vend, duke qenë se një e treta e popullsisë së Malit të Zi jeton në kryeqytet.
Gjukanoviq vlerëson se, aktualisht, është e paqartë se kush do ta formojë qeverinë e re në Podgoricë.
Sipas saj, gjithçka varet nga ajo se me kë do të bashkohet lista e presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe e ish-kryeministrit Dritan Abazoviq, e cila fitoi gjashtë mandate.
“Ata sigurisht se kanë pritur shumë më shumë vota, por besoj se do të jenë të kënaqur me qëndrimin e partisë, pa të cilën do ta kenë të pamundur ta formojnë qeverinë”, thotë Gjukanoviq.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podgoricë u mbajtën më 29 shtator.
Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në opozitë fitoi më së shumti vota – rreth 30 për qind – dhe 19 mandate.
Pjesa tjetër e opozitës fitoi shtatë mandate.
Pas DPS-së, koalicionet që përbëjnë pushtetin në nivel lokal dhe shtetëror, fituan më shumë mandate – Lëvizja Evropa Tani (PES) dhe Demokratët 14, ndërsa partitë e Frontit Demokratik pro-rus (DF) 13 mandate.
Marrë parasysh se Kuvendi i Podgoricës i ka 59 vende, për të formuar qeverinë nevojiten 30 mandate.
Kjo do të thotë se si Qeveria malazeze, ashtu edhe opozita do të duhet të kërkojnë partnerë koalicioni.
Se si do të ndikojnë rezultatet në situatën politike në Mal të Zi, do të varet nga bisedimet paszgjedhore, thotë Gjukanoviq.
“Nëse qeveria formohet me DPS-në, kjo mund të reflektohet shumë mirë edhe në nivel kombëtar. Nëse qeveria formohet midis partive që deri vonë kanë pasur pushtetin në Podgoricë (PES, Demokratët dhe DF), do të kemi përsëritje të një qeverie jofunksionale ose zgjedhje të reja”, thotë ajo.
Pas shpalljes së fitores në Podgoricë, DPS-ja opozitare tha se duhen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, sepse “Qeveria ka rënë”, duke vënë në dukje faktin se partitë që përbëjnë Qeverinë, nuk kanë marrë shumicën në Podgoricë.
Si erdhi deri te zgjedhjet?
Këto ishin zgjedhjet e dyta në Podgoricë në dy vjetët e fundit.
Zgjedhjet e mëparshme u mbajtën në tetor të vitit 2022, kur qeverisja e DPS-së u zëvendësua pas një çerek shekulli.
Pushtetin atëkohë e morën PES-i i kryeministrit Millojko Spajiq, Demokratët, DF-ja dhe URA.
Zgjedhjet e parakohshme, pastaj, u zhvilluan pas një konflikti në shumicën qeverisëse, kryesisht për shkak të një ndarjeje në lëvizjen PES, e cila kishte më shumë këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës.
PES u themelua në qershor të vitit 2022 nga Spajiq dhe Millatoviq.
Me largimin e Millatoviqit nga partia, PES-i humbi një numër këshilltarësh në Kuvendin e Podgoricës.
Në mes të korrikut, rryma e Millatoviqit, me ndihmën e URA-s dhe opozitës, shkurtoi mandatin e Parlamentit lokal, ndërsa Millatoviq, nga pozita e presidentit, shpalli zgjedhjet.
“Nëse janë njerëz, mund të bëjnë marrëveshje”
Sa i përket një marrëveshjeje mes partive për formimin e qeverisë në Podgoricë, shumica e qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehen skeptikë.
Gjashtëdhjetëvjeçarja Lubica, megjithatë, është optimiste.
“Unë jam gjithmonë optimiste. Nëse nuk arrijnë marrëveshje dhe shpallin sërish zgjedhje, unë definitivisht nuk do të dilja më”, thotë ajo.
Sllavkoja, 28 vjeç, thotë se konfliktet politike çuan në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe pret që të ketë prapë probleme.
“Gjithçka do të vazhdojë të jetë njësoj, askush nuk do të jetë në gjendje të bjerë dakord për asgjë. Të gjithë luftojnë për poste dhe populli do të vuajë. Nëse do të rebeloheshim si populli në Francë dhe Evropë, ndoshta diçka do të ndryshonte”, thotë ai.
I pyetur se sa mund të zgjasë kjo situatë, ai përgjigjet:
“Kjo zgjat për një jetë të tërë. Nuk do të shohim asnjë përparim për aq kohë sa mentaliteti ynë është i tillë dhe përderisa ka përçarje të tilla”.
Millivoje, 70 vjeç, thotë se nuk ka nevojë për asgjë nga politikanët, përveçse ata ta bëjnë punën e tyre.
“Premtimet parazgjedhore ishin dëshira muzikore. Do të shohim se çfarë do të bëjnë. Unë nuk dal në asnjë palë zgjedhje, sepse nuk u besoj”, thotë ai.
Brankoja, 39 vjeç, thotë se “nëse janë njerëz, mund të bëjnë marrëveshje” për formimin e qeverisë në Podgoricë, por “zgjedhjet e reja nuk përjashtohen”.
“Gjithçka duket se varet nga karriget. Karriget janë të dashura nga të gjithë”, thotë ai.
Kush mund të jetë i kënaqur dhe kush jo?
Gjukanoviq thotë se shumë parti mund të jenë të kënaqura me rezultatet e zgjedhjeve të 29 shtatorit.
Edhe pse partitë në pushtet i shfrytëzuan maksimalisht qëndrimet e tyre për këto zgjedhje, jo të gjitha dolën aq mirë, sipas saj.
“PES-i – i cili ka një infrastrukturë aq të madhe, të gjitha resurset kombëtare dhe lokale që i përdori gjatë fushatës, të gjitha masat dhe politikat në nivel kombëtar që i vuri në funksion të zgjedhjeve lokale – nuk dha rezultate dukshëm më të mira”, thotë Gjukanoviq.
Para zgjedhjeve, kryeministri prezantoi disa projekte për Podgoricën, vlera e të cilave llogaritej në më shumë se 500 milionë euro.
Premtimet u mbështetën me video-animacione dhe u prezantuan në konferencat për shtyp të kryeministrit dhe ministrave të tij.
Në anën tjetër, koalicioni i partive të DF-së, thotë Gjukanoviq, i ka shfrytëzuar “me shumë zgjuarsi” të gjitha përfitimet e Qeverisë.
“Dhe, me ndihmën e madhe të Beogradit, Kishës Ortodokse Serbe dhe politikave retrograde, që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve duket se ka qejf t’i dëgjojë, arriti ta ruante veten si një strukturë e rëndësishme politike”, thotë Gjukanoviq.
Udhëheqësit e DF-së e gëzojnë mbështetjen e Beogradit zyrtar, përkatësisht të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe të Kishës Ortodokse Serbe.
DF, mes tjerash, kundërshton pavarësinë e Kosovës, kundërshton anëtarësinë e Malit të Zi në NATO dhe mbron heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Kur bëhet fjalë për DPS-në, rezultati i kësaj partie është befasi e madhe për Gjukanoviqin, sepse ka arritur të mbajë pjesën më të madhe të elektoratit të saj nga zgjedhjet e mëparshme.
“Besoj se edhe teoria, edhe praktika kanë pritur një rënie më të madhe të partisë, pas rënies së saj në vitin 2020 dhe pas ndarjes partiake”, thotë ajo.
DPS-ja e Millo Gjukanoviqit e humbi pushtetin në Mal të Zi në gusht të vitit 2020, pas tri dekadash në pushtet. Kjo u pasua me disfata edhe në zgjedhjet e Podgoricës dhe ato presidenciale.
Ndërkohë, kryeministri i fundit nga DPS-ja, Dushko Markoviq, u largua nga partia dhe themeloi Partinë e Progresit Evropian (SEP), e cila fitoi dy mandate në zgjedhjet e fundit në Podgoricë.
Pjesëmarrje e ulët
Në Kuvendin e Podgoricës, përveç partisë së Markoviqit, mandate morën edhe Lëvizja për Ndryshim e aktivistit qytetar, Sërgjan Periq, dhe Aleanca Evropiane, e cila bashkon parti socialdemokrate dhe liberale.
Ajo që e shqetëson më shumë Gjukanoviqin, është pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, e cila ishte në nivelin më të ulët në dekadën e fundit.
“Unë mendoj se qytetarët nuk i besojnë procesit zgjedhor. Problemi nuk është se zgjedhjet janë shumë të shpeshta, por që politikanët kanë bërë gjithçka me keqpërdorime dhe qytetarët kanë besim shumë të ulët në procesin zgjedhor”, thotë Gjukanoviq.
Pjesëmarrja ishte pothuajse 15 për qind më e ulët se në vitin 2014, ose 12 për qind më e ulët se në zgjedhjet e fundit lokale, dy vjet më parë. /REL/