Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Ndahen pesë milionë euro për renovimin e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan

Ndahen pesë milionë euro për renovimin e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në takim me homologun e saj danez, Peter Hummelgaard, kanë vizituar Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Përmes një postimi nga Ministria e Drejtësisë, bëhet e ditur se janë transferuar 5 milionë euro për renovimin e burgut dhe ndërtimin e punëtorive të reja, raporton gazeta online Reporteri.net.

“Sot, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, zhvilloi një takim të rëndësishëm me homologun e saj, ministrin danez Peter Hummelgaard, ku diskutuan përparimin në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për burgun e Kosovës, pas ratifikimit të Traktatit mes dy vendeve. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, janë transferuar 5 milionë euro për renovimin e burgut dhe ndërtimin e punëtorive të reja, një projekt i cili do të përfundojë brenda 18 muajsh”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Gjatë takimit, të dy ministrat kanë theksuar rëndësinë e Komitetit të Përbashkët Drejtues, teksa u bë e ditur se përveç punimeve infrastrukturore, do të trajnohet stafi aktual dhe do të rekrutohet stafi i ri.

“Projekti për renovimin e burgut dhe ndërtimin e infrastrukturës është hartuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili tashmë ka nënshkruar kontratën për hartimin e specifikave teknike. Gjatë kësaj periudhe, përveç punimeve infrastrukturore, do të trajnohet stafi aktual dhe do të rekrutohet stafi i ri, sipas nevojave të përcaktuara në marrëveshje. Të dy ministrat theksuan rëndësinë e Komitetit të Përbashkët Drejtues, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e plotë të marrëveshjes, duke siguruar përmbushjen e standardeve për menaxhimin e burgut dhe përkujdesjen ndaj të burgosurve. Marrëveshja Bashkëpunuese ndërmjet dy vendeve do të finalizohet pas përfundimit të punëve teknike dhe do të rishikohet dy herë në vit”, thuhet tutje në njoftim.

Teksa në përfundim, Haxhiu dhe Hummelgaard kanë shprehur mirënjohje për njëri tjetrin dhe ndaj ekipeve punuse.