Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Deklaratat e pushtetit ndaj Prokurorisë/ Politologu: Duhet t’i besohet sistemit të drejtësisë, ndërhyrjet politike mund t’i dëmtojnë hetimet

Deklaratat e pushtetit ndaj Prokurorisë/ Politologu: Duhet t’i besohet sistemit të drejtësisë, ndërhyrjet politike mund t’i dëmtojnë hetimet

Pushteti aktual po vazhdon me deklarata kundër sistemit të drejtësisë në Kosovë, këtë herë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë disa akuza kundrejt Prokurorisë, shkruan TV Arbëria.

Ministri Sveçla ka deklaruar se aktakuza për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, është e vonuar, si dhe potencoi se Prokuroria nuk i ka marrë në konsideratë deshmitë për përfshirjen e shtetit serb në sulmin e 24 shtatorit.

Deklarata kundër Prokurorisë, ka dhënë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo kishte thënë se reformat në drejtësi po pengohen nga vet sistemi i drejtësisë, dhe nga opozita.

Ndërsa kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte deklaruar se prokuroria “duhet të jetë më aktive e efikase” që të sjellë kriminelët para drejtësisë.

Çfarë ndikimi mund të kenë deklarimet e tilla?

Lidhur me këto deklarime të vazhdueshme, nga ana e pushtetit, ka folur politologu, Basri Beka, ai për TV Arbëria ka deklaruar se këto veprime nga pushteti janë të ndjeshme dhe se thekson se duhet të trajtohen me kujdes të veçantë.

“Deklaratat e tilla nga pushteti, përfshirë ato të Ministrit Sveçla, janë të ndjeshme dhe mund të ndikojnë në besimin publik ndaj institucioneve të drejtësisë. Akuzat për mospërfshirje të implikimeve të shtetit serb në agresionin e 24 shtatorit në Banjske duhet të trajtohen me kujdes të veçantë. Çdo ndërhyrje ose presion politik mbi institucionet e pavarura të drejtësisë, si prokuroria dhe policia, minon parimin e ndarjes së pushteteve dhe krijon një atmosferë ku drejtësia mund të perceptohet si e manipuluar politikisht”, ka thënë Beka.

Tutje politologu, ka thënë se duhet t’i besohet procesit të drejtësisë.

“Në këtë situatë, është e domosdoshme t’i besohet procesit të drejtësisë dhe të inkurajohen hetime të plota dhe të paanshme. Nëse ka dëshmi që sugjerojnë përfshirjen e Serbisë, ato duhet të shqyrtohen brenda kornizës ligjore, duke i lejuar drejtësisë të veprojë pa presione apo deklarata të parakohshme politike”, ka thënë Beka.

Ai gjithashtu potencon se këto deklarime mund të jenë pjesë e një strategjie, për të fituar mbështetje publike, si dhe thotë se kanë edhe elemente populiste.

“Këto deklarata publike nga pushteti mund të jenë pjesë e një strategjie për të shfaqur vendosmëri politike dhe për të fituar mbështetje publike. Megjithatë, ato bartin rrezikun e dëmtimit të besimit në institucionet e pavarura dhe të krijimit të tensioneve me aktorët ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë transparencë dhe pavarësi në këto procese”.

“Gjithashtu, këto deklarata kanë edhe elemente populiste, sidomos duke pasur parasysh se zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 po afrohen. Në këto periudha, politikanët shpesh përpiqen të mobilizojnë elektoratin dhe të devijojnë vëmendjen nga sfidat e tjera, përfshirë dështimet e qeverisë. Duke akuzuar sistemin e drejtësisë për mospërfillje të çështjeve si përfshirja e Serbisë në agresionin e 24 shtatorit, qeveria mund të përpiqet të justifikojë dështimet apo mungesat në zgjidhjen e këtyre problemeve. Kjo mund të shihet si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë dhe për të rritur mbështetjen publike përpara zgjedhjeve”, ka potencuar Beka.

Krejt në fund politologu potencon se ndërhyrjet politike mund të dëmtojnë procesin e hetimeve.

“Është e rëndësishme të theksohet se tashmë ka filluar shqyrtimi gjyqësor i aktakuzës nga prokuroria. Pretendimet e Ministrit Sveçla mund të shqyrtohen nëse ai, si palë me interes, paraqet argumente të qëndrueshme. Megjithatë, ngritja e aktakuzës mbetet kompetencë ekskluzive e policisë dhe prokurorisë, dhe ndërhyrjet politike mund të dëmtojnë procesin dhe integritetin e hetimeve. Ky proces duhet të zhvillohet i pavarur dhe pa presione publike”, ka potencuar Basri Beka për TV Arbëria.

Powered by WordPress