Tema mbizotëruese e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është këtë vit lufta në Gazë dhe rreziku i përshkallëzimit të mëtejshëm në Liban.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres paralajmëroi që në fillim të fjalimit të tij, për rrezikun e përhapjes masive të luftës në Lindjen e Mesme. Lufta e Gazës është një “makth i vazhdueshëm” dhe tani edhe Libani është në buzë të humnerës, tha ai.
“Populli libanez, populli izraelit dhe njerëzit në mbarë botën nuk mund ta përballojnë që Libani të bëhet një Gazë e dytë,” paralajmëroi ai.
Guterres: “Botë mosndëshkimi”
Guterres e dënoi edhe një herë sulmin e Hamasit më 7 tetor si “të neveritshëm”. Duke shtuar i shoqëruar nga duartrokitjet e shumë kryetarëve shtetesh dhe qeverish se megjithatë “nuk ka asnjë justifikim për ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez”.
Duke ju referuar luftërave të tjera në Ukrainë apo Sudan, Guterres u shpreh për një “botë mosndëshkimi”.
“Një numër në rritje qeverish e shkelin me këmbë ligjin ndërkombëtar dhe minojnë të drejtën ndërkombëtare. Ato pushtojnë një vend tjetër, shkatërrojnë shoqëri të tëra ose e shpërfillin plotësisht mirëqenien e popullit të tyre. Dhe asgjë nuk ndodh.” – tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres.