Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti kthehet në Kosovë, e pret në zyrë ambasadorin e Finlandës

Kurti kthehet në Kosovë, e pret në zyrë ambasadorin e Finlandës

Kryeministri Albin Kurti ka pritur të hënën Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit “takimi dhe bashkëbisedimi i sotëm ndër të tjera u përqendrua rreth vizitës së ministres së Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen në Kosovë më 5 shtator’.

“Kryeministri u shpreh se ishte kënaqësi ta mirëpresim ministren Valtonen në Prishtinë dhe ndërtesën e Qeverisë për të diskutuar rreth marrëdhënieve bilaterale, çështje me interes për të dy palët dhe për mënyrat e fushat në të cilat mund të thellohen edhe më tej bashkëpunimi e raportet, veçanërisht në fushën e tregtisë dhe mbrojtjes” thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se si vazhdimësi e takimit të 5 shtatorit, kryeministri dhe ambasadori Nissinen folën për përgatitjen e nevojshme për realizimin e vizitës së një delegacioni të përfaqësuesve të bizneseve finlandeze për të hulumtuar mundësitë dhe avantazhet që vendi ynë ofron për investitorë të huaj.

“Ai e falënderoi ambasadorin Nissinen për bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e suksesshëm të vizitës së ministres Valtonen dhe për mbështetjen e vazhdueshme dhe të rëndësishme të Finlandës ndaj Kosovës, si në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare ashtu edhe në zhvillimin e brendshëm institucional dhe shoqëror” thekson ZKM.

Kryeministria të enjten që shkoi ka njoftuar se Kurti kishte udhëtuar drejt Brukselit për drekë pune me liderët e BallKanit Perëndimor të organizuar nga Presidentja e KE’së, ndërsa të dielën ka folur në një ceremoni diplomimi në Venedik.

Powered by WordPress