Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > S’shihen lëvizje nga Qeveria për CEFTA-n, kërcënim i ri nga Gjermania: Kosova rrezikon izolim të thellë

S’shihen lëvizje nga Qeveria për CEFTA-n, kërcënim i ri nga Gjermania: Kosova rrezikon izolim të thellë

Qeveria nuk ka lëvizur, ndërkohë që nga Gjermania janë përsëritur kërcënimet për përjashtimin e Kosovës nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit nëse nuk hiqet ndalesa për mallrat e prodhuara në Serbi. I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, pasi erdhi dy herë në Prishtinë për këtë çështje, tash thotë se vendi rrezikon izolim të thellë.

Kosova mund të mbetet jashtë marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA dhe Procesit të Berlinit, iniciativës që Gjermania e nisi nga viti 2015 për zgjerimin e Bashkimit Europian me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin e ka përsëritur kërcënimin për përjashtimin e Kosovës nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit.

Kosova mund të përballet me thirrje për përjashtim nga Marrëveshja e Europës Qendrore për Tregtisë të Lirë dhe ndëshkime të tjera, nëse vazhdon t’i ndalojë importet serbe, i tha Sarrazin BIRN-it sot, siç raportoi Balkan Insight.

Këtë kërkesë, ai ia ka bërë edhe kryeministrit Albin Kurti, ndërsa së fundmi për këtë erdhi dy herë në Kosovë.

Sarrazin ka thënë se ndalimi i mallrave të prodhuara në Serbi që prej qershorit të vitit të kaluar është kundër parimeve të CEFTA-s dhe në këmbim të heqjes së ndalesës, ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj, me fusnotë, dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Ndërsa kryeministri Albin Kurti nuk u duk i bindur, Qeveria tha të premten përmes zëdhënësit Përparim Kryeziu se po punon për zhbllokimin e CEFTA-s.

“Në drekën e ftuar dje nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Kurti ka shprehur angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrëveshje të reja në kuadër të këtij procesi, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në Berlin dhe Tiranë”, tha Kryeziu për RTK-në, ndërsa Kurti ishte në Bruksel.

Gjermania po përgatitet ta presë samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor, duke shënuar dhjetëvjetorin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor. Dhe ndërsa Kryeziu i tha RTK-së se sa ka kontribuar Kosova, sipas tij, që nga Procesi i Berlinit të dalin rezultate, Sarrazin tha se vendi rrezikon izolim më të thellë.

Sarrazin ka thënë se “do të jetë shumë keq” nëse Procesi i Berlinit “nuk arrin të ofrojë rezultate konkrete në tregun e përbashkët rajonal”.

“Nuk do të ndalemi vetëm pse Kosova po bllokon. Kosova mund të bllokojë vetëm veten. Do të adoptojmë mundësi tjetër për një mekanizëm të përkohshëm, jo CEFTA”, paralajmëroi ai më 5 shtator, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së.

Kjo sjellje e Kosovës, sipas tij, po i shtyn vendet tjera të rajonit “të bëjnë marrëveshje bilaterale, si ‘Ballkani i Hapur’”.

“Nëse nuk doni që të rikthehet “Ballkani i Hapur” nga hiri, ju duhet të keni vullnet politik për të bërë një kompromis edhe atëherë kur mbase nuk është gjëja që donit të bënit”, ka thënë ai.

Ministrja e Gjermanisë për Europën dhe Klimën, Anna Luhrmann, ka paralajmëruar gjatë një vizite në Kosovë më 16 shtator se bllokada në CEFTA ” rrezikon ta dështojë Procesin e Berlinit dhe ta parandalojë më tej bashkëpunimin rajonal”. /Gazetaexpress