Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka thënë se Izraeli nuk dëshiron luftë me Libanin në mes të zhvillimeve intensive që po ndodhin mes grupit militant Hezbollah të Libanit dhe Izraelit. Sot një breshëri raketash u hodhën nga Libani drejt territorit të Izraelit si shenjë hakmarrje për shpërthimin e pajisjeve të komunikimit të pjesëtarëve të Hezbollahut.
Herzog për SkyNews tha se Izraeli “nuk dëshiron luftë” me Libanin, duke pretenduar se konflikti është “i nxitur” nga përfaqësuesit iranianë në rajon, duke përfshirë Hezbollahun dhe Houthit e Jemenit, si dhe Hamasin në Gaza.
“Izraeli po lufton për mirëqenien e tij, ekzistencën e tij, qytetarët e tij. Kjo është ajo që ne po bëjmë. Dhe ne po bëjmë gjithçka që është e duhura për ta bërë”, tha ai, duke shtuar se Libani është rrëmbyer nga Hezbollah, të cilin ai e përshkroi si një “organizatë terroriste”.
“Po armatoset deri në dhëmbë nga perandoria iraniane e së keqes”, tha ai, duke theksuar se Izraeli dëshiron të kthejë pengjet izraelitë nga Gaza dhe të kthejë qytetarët izraelitë “në shtëpitë e tyre në kufirin me Libanin”.