Një shpërthim i shkaktuar nga një rrjedhje gazi në një minierë qymyri në Iranin lindor ka lënë të vdekur të paktën 51 persona, tha media shtetërore të dielën.
Më shumë se 20 të tjerë u plagosën pas shpërthimit në provincën e Khorasanit të Jugut.
Raportohet se është shkaktuar nga një shpërthim gazi metani në dy blloqe të minierës në Tabas, 540 km në juglindje të kryeqytetit Teheran.
Shpërthimi ndodhi në orën 21:00 me orën lokale të shtunën, tha media shtetërore, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Guvernatori i Khorasanit të Jugut, Javad Ghenaatzadeh, tha se në momentin e shpërthimit në blloqe ishin 69 punëtorë.
Sipas agjencisë së lajmeve AP, ai tha: “Ka pasur një shpërthim dhe fatkeqësisht 69 persona punonin në blloqet B dhe C të minierës Madanjoo. Në bllokun C ishin 22 persona dhe në bllokun B ishin 47 persona”.
Mbetet e paqartë se sa njerëz janë ende gjallë dhe të bllokuar brenda minierës.
Media shtetërore tani ka rishikuar numrin e saj të mëparshëm prej 30 të vdekurve.
“Numri i punëtorëve të vdekur u rrit në 51 dhe numri i të plagosurve u rrit në 20”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.
Duke cituar kreun e Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, TV shtetëror tha më herët të dielën se 24 persona ishin të zhdukur.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, presidenti iranian Masoud Pezeshkian shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.