Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mungesa e alternativës opozitare në Kosovë dhe Serbi në procesin e dialogut

Mungesa e alternativës opozitare në Kosovë dhe Serbi në procesin e dialogut

Shkruan Afrim Kasolli

Nëse ka diçka që e ka veçuar pushtetin, si të kryeministrit Kurti në Kosovë, ashtu edhe të presidentit Aleksandër Vuciq në Serbi, ka qenë ngushtimi i hapësirës për veprim të partive opozitare, sa i përket veçanërisht temës së dialogut.

Në të dyja vendet, thuajse opozita ka pasur një rol margjinal dhe pa peshë politike në raport me këtë proces. Ndonëse,  kuptohet një gjë e tillë ka ndodhur për arsyeje të ndryshme. As nuk kanë qenë në gjendje t’i kundërshtojnë as të pajtohen hapur me veprimet si të pushtetit në Kosovë ashtu edhe në Serbi, me krejt atë që ka filluar që nga dakordimi  i Marrëveshjes bazike të Brukselit si dhe aneksi i zbatimit në Ohër, por dhe tensionet që janë krijuar në ndërkohë.

Opozita në Serbi kryesisht në mënyrë sporadike e ka atakuar presidentin serb, se i ka tradhtuar interesat e serbëve të Kosovës, por jo diçka më shumë. Nuk ka arritur ta sajojë ndonjë alternativë bindëse se çka ajo të bënte ndryshe po të ishte në pushtet. Për më tepër, i ka legjitimuar planet e presidentit serb për inskenim të krizave në pjesën veriore të Kosovës. Askush nga pjesëtarët  e partive kryesore opozitare në Serbi nuk është dalluar dukshëm me qëndrime të qarta kundër instrumentalizimit të serbëve të Kosovës, për t’i braktisur institucionet përfaqësuese. Ndërkohë, ajo nuk ishte në gjendje ta dënonte as agresionin atij shteti me rastin e sulmit të 24 shatorit në fshatin Banjë të pjesës veriore. Askush nga partitë opozitare nuk ishte në gjendje të kërkonte një hetim të detajuar për përfshirjen e strukturave të pushtetit në atë agresion paramilitar.

Por edhe në Kosovë opozita thuajse ka shkuar plotësisht pas qerres politike të Albin Kurtit me atë që ka ndodhur. Reagimet e tyre kanë qenë reaktive. Për më shumë ato edhe pse e kanë sulmuar Albinin Kurtin për dy Marrëveshjet e dakorduara, megjithatë janë pajtuar se janë të obliguara t’i zbatojnë detyrimet që ai i ka pranuar.

Në seancën e datës 28 shtator, pas sulmit ne Banjë, të gjitha u rreshtuan me pushtetin duke mos pasur guxim asnjëra prej tyre për anulim të Marrëveshjes së Brukselit, pasi Serbia e kishte shkelur në mënyrë brutale atë. Për më tepër me këtë qëndrim konfuz ato ia kanë pranuar legjitimitetin moral Albin Kurtit në procesin e dialogut. Sepse derisa ky i fundit sa ishte në opozitë i akuzonte ish-lidershipin politik të vendit, se për shkak të zhytjes në korrupsion ishin të detyruar të bënin kompromise në raport me Serbinë, në mënyrë që ta shpëtonin vetën. Pra, Kosova po e paguante çmimin e lirës së tyre. E për këto te fundit, e tëra beteja kryesore ka qenë që të pozicionet ndërmjet alternativës me koordinim apo pa koordinim.

Në këtë drejtim fatkeqësia e saj nuk është se nuk ka pasur mundësi ta ketë një alternativë tjetër në raport me modelin e Albin Kurtit për dialogun. Por ajo ka vendosur ta braktis atë, vetëm për t’iu përshtatur pushtetit me shpresën se kështu mund të jetë më e pranueshme për  bashkësinë ndërkombëtare. Le të marrim vetëm shembullin e  strategjisë e ndjekur nga ish-kryeministri Abdullah Hoti, sipas së cilës nuk ka “pajtim për asgjë deri sa nuk ka pajtim për gjithçka”. Me këtë model fati ndërkombëtar i Kosovës nuk do të mbahej peng për t’i zbatuar obligimet specifike, pa u përmbyllur përfundimisht ky proces. Kurse në anën tjetër, investimet ekonomike, po  ashtu nuk do të bllokoheshin për shkak të Marrëveshjes së Uashingtonit.

/TV Arbëria

Powered by WordPress