Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Orë dore, kravata, libra – Dhuratat që mori Kurti prej se u ul në zyrën e Kryeministrit dhe vlera e tyre

Orë dore, kravata, libra – Dhuratat që mori Kurti prej se u ul në zyrën e Kryeministrit dhe vlera e tyre

Mbi 1300 euro është vlera e dhuratave që ka pranuar Kryeministri Albin Kurti gjatë vitit të kaluar, sipas vlerësimeve që ka bërë Zyra e Kryeministrit. Për dhuratat që i janë bërë viteve të tjera s’është treguar vlera. Gazeta Express ka siguruar listën e dhuratave që ka pranuar Kurti që prej ardhjes në pushtet përmes qasjes në dokumente publike, ku tregohet lloji i dhuratës, rasti me të cilin është bërë, personi që ia ka dhuruar dhe vlera e tyre.

Orë dore, kravata, mansheta për këmisha, libra, stilolapsa, piktura, pjata dekoruese e shishe me verë janë vetëm disa prej dhuratave që i janë bërë kryeministrit Albin Kurti nga dita kur është ulur në Zyrën e Kryeministrit.

Në mesin e atyre që i kanë bërë këto dhurata ka presidentë, kryeministra, kryediplomatë e komandantë, por edhe qytetarë të thjeshtë.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, Gazeta Express ka siguruar listën e këtyre dhuratave, ku tregohet lloji i dhuratës, rasti me të cilin është bërë, nga kush dhe për dhuratat e vitit 2023, edhe vlera e tyre.

Dhuratat e vitit 2021: Osmani i dhuroi ajvar për festat e fundvitit

Menjëherë pasi e kishte marrë detyrën e Kryeministrit, Kurti kishte pasur vizita nga zyrtarë të rëndësishëm në zyre. Asnjëri nuk i kishte shkuar duarthatë.

Ish-Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani i kishte dhuruar Kurtit mansheta për këmishë. Dhuratë të njëjtë i kishte bërë edhe Komandanti i KFOR’it.

Nga Kryediplomati i Greqisë, Nikolas Dendias, Kurti ka pranuar si dhuratë një monedhë greke prej ari, derisa Gjenerali Jorg Ruter i kishte dhuruar më 2021 Kurti një plaket dekoruese të NATO’s.

Gjenerali Larry Henry i kishte dhuruar Kurtit flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ish-Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla, i kishte dhuruar një pjatë dekoruese.

Tek dhuratat që i ishin bërë Kurtit me rastin e festave të fundvitit më 2021, figuron edhe ajo e Presidentes Vjosa Osmani.  Ajo i kishte dhuruar Kurtit ajvar të Krushës dhe një çokolladë. Ndërkohë, Ambasada e ShBA’së për këtë rast i kishte dhuruar shampanjë, whisky, manshetë dekorim, 2 gota për verë dhe çokollatë.

Kurti ka marrë dhurata edhe në vizitat jashtë vendit dhe gjatë pjesëmarrjes nëpër samite.

Në vizitën në Belgjikë më 2021, Kryeministri i këtij shteti i kishte bërë Kurtit dhuratë një çantë për tablet.

Aty figuron edhe dhurata që i kishte bërë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e Tiranës.

“Dekor dhe ushqim”, është përshkrimi i kësaj dhurate.

Dhuratë kishte marrë edhe me rastin e pjesëmarrjes në “Europian Union and Western Ballkan Summit”. Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, i kishte dhuruar 6 verëra të ndryshme.

Ndërkohë, për pjesëmarrjen në Samitin e Prespës, i ishte dhuruar një kravatë dhe verë.

Dhuratat e vitit 2022: Skulptura e Skënderbeut, kravatë “Hermes” e top futbolli

Vizitat në zyrën e Kurtit kishin vazhduar edhe më 2022, e poashtu edhe dhuratat.

Oleksiy Goncharenko, deputet i Ukrainës i kishte dhuruar Kurtit postkarta të Ukrainës. Dhuratë kishte pranuar edhe nga Ursula von der Leyen, një pjatë dekoruese nga lëkura. Wolfang Ischinger i kishte bërë dhuratë një libër, e Alice Albright nga MCC një pjatë dekoruese “Salisbury”.

Gjenerali i KFOR’it, Ferenc Kajari, i kishte dhuruar një plaket mirënjohje, ndërsa Kryetari i FIFA’s, Gianni Infantino, ia kishte dhuruar një dres të FIFA dhe një top futbolli.

Ish-presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy Rey, me rastin e vizitës në ZKM, i kishte dërguar Kurtit një çokolatë. Nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Kurti kishte pranuar si dhuratë në vitin 2022 një skulpturë të Gjergj Kastriot Skëndebeut.

Deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers Stephen Doughty, Alex Sobel dhe Luke Pollard i kanë dhuruar një pjatë dekoruese.

Kurtit i kishte shkuar me dhuratë në zyre edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Ajo i kishte dërguar një kravatë “Hermes”.

Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambrech, i kishte dhuruar pikturë. Senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, një pjatë të argjendë “Salisbury”.

Tek dhuratat e vitit 2022, figuron edhe ajo që i kishte bërë Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje për ditëlindje. Ata i kishin dhuruar kryeministrit një stilolaps “Lamy”.

Dhuratat e vitit 2023: Orë dore, libra nga Kadareja e rrip të zi të xhudos

Kryeministri Albin Kurti ka pranuar një numër të madh dhuratash edhe gjatë vitit të kaluar, të cilat kryesisht i janë bërë gjatë takimeve në zyrën e tij. Shumica janë libra.

Tek dhuratat për vitin 2023, specifikohet edhe vlera e tyre në euro, sipas vlerësimeve të Zyrës së Kryeministrit.

Në krye të listës së dhuratave për këtë vit figuron edhe ajo që ia kishte bërë Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.

Me rastin e vizitës së tij në ZKM, Tërnava i kishte dërguar Kurtit hurme, që vlerësohet të kenë kushtuar 5 euro.

Në një takim tjetër që kishte pasur në zyrën e tij, Kurtit i ishte dhuruar një kravatë “Tommy Hilfiger”, me vlerë 15 euro. Këtë dhuratë ia kishte bërë deputetja Jeta Statovci.

Vitin e kaluar, Kurti e kishte pritur në zyrë edhe Drejtorin e Kompanisë “Bayraktar”, Haluk Bayraktar, prej të cilës vendi kishte blerë dronët. As ai s’i kishte shkuar duarthatë.

Bayraktar i kishte dërguar Kurtit një stilolaps, çantë, fletore, gotë dhe termos, që sipas vlerësimeve kushtojnë 25 euro.

Dhuratë i kishte bërë edhe Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yasar Guler, i cili i kishte dërguar një vazo nga argjendi dhe një pjatë dekoruese.

Për vizitë i kishte shkuar edhe Besnik Sahatçiu, babai i këngëtares kosovare me famë ndërkombëtare, Rita Orës. Libri dhe CD e Rita Orës që ia kishte dhuruar, janë vlerësuar se kushtojnë 7 euro.

Tek lista e dhuratave për këtë vit, figuron edhe ajo që i ka bërë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë.

Kravata dhe pjata dekoruese që ai i ka dhuruar, janë vlerësuar 20 euro.

Nga senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, Kurti ka pranuar një pjatë dekoruese “Salisbury”.

Dhuratë i ka bërë edhe Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, i cili ia ka dërguar një libër.

Në vitin 2023, Kurti kishte qenë për vizitë në Bern të Zvicrës. Në takimin me Presidentin e Zvicrës, ai kishte marrë dhuratë një orë dore “Mondaine”.

Nga xhudistja Majlinda Kelmendi, Kurti ka pranuar si dhuratë rrip të zi të rs.

Në takimin e fundit që ka pasur me shkrimitarin Ismail Kadare, i cili vdiq sivjet, Kurti kishte pranuar shtatë libra. Vlera e tyre është llogaritur 25 euro.

Dhuratë ka pranuar edhe nga Ministri i Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Rt Hon James Heappey. Ai i kishte bërë dhuratë nga “Fortnum&Mason”.

Nga Unioni i bizneseve gjermano kosovare, Kurti ka pranuar si dhuratë një orë dore “Maurice Lacroix”. Vlera e saj s’është treguar.

Ish-Komandanti i KFOR’it, Angelo Ristuccia, i kishte dhuruar një pikturë hartë të Italisë dhe një verë “Primitivo Salento”.

Nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut, Katarina Agjançiq, në takimin në ZKM, i kishte dërguar Kurtit një fletore dhe shkrebëz.

Dhuratë i ka bërë edhe zëvendëskryeministrja Emilia Redzepi, pesë libra.

Kurti ka pranuar dhuratë fanellën e futbollistes Kosovare Asllani, nga vetë ajo në takimin në Kryeministri. Vlera e fanellës është llogaritur 20 euro.

Nga Federata Evropiane e Xhudos ka marrë një kravatë, fletore dhe një plaketë me logo të EJU.

Të tjerat janë dhurata që i janë bërë për festat e fundvitit, kryesisht verëra e çokolata.

Dhuratat e këtij viti nuk janë përfshirë në listën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

Powered by WordPress