Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për të pandehurin E.G, për shkak se të dyshimit se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose poseedim të paautorizuar të armëve”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 15.09.2024 rreth orës 02:20 në fshatin Llapushnik – Berishë, Komuna e Gllogocit, i pandehuri E.G i cili ishte duke vozitur veturën në pronësi të B.G, i shoqëruar me dëshmitarin L.K, me të cilin ishin dakorduar që të kryenin vjedhje të pyllit, pa autorizim ka mbajtur në pronësi, kontroll ose poseedim armën e zjarrit pistoletë TT M-57 dhe dy karikatorë dhe 14 fishekë të cilat i kishte mabjtur në brez si dhe armën e ftohtë – thikë me gjatësi 18 cm, të cilat pas kontrollit të njëjtat i janë sekuestruar nga zyrtarët policorë. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose poseedim të pa autorizuar të armëve”, ka njoftuar gjykata.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës për të, prandaj edhe ka marrë këtë vendim.
Gjykata tha se vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate dhe e domosdoshme, “sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, mund të shmanget nga procedura penale duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale, si dhe i mund të kryejë vepër penale tjetër penale”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, njofton gjykata.