Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka vendosur të hedh për votim të mërkurën një projektpropozim për zgjatje të përkohshme të buxhetit aktual, që synon të parandalojë një mbyllje të pjesshme të qeverisë. Buxheti i ri i qeverisë amerikane fillon më 1 tetor, ndërsa zoti Johnson u detyrua javën e kaluar ta tërheqë projektpropozimin nga shqyrtimi mes kundërshtive nga të dy krahët e politikës.
Republikanët e kanë kushtëzuar masën e re buxhetore me aprovimin e një legjislacioni që kërkon provën e shtetësisë për votuesit amerikanë. Siguria e votës është bërë një përparësi kryesore për republikanët këtë vit zgjedhor, duke aluduar mbi mundësinë e votimit nga ata që nuk janë shtetas amerikanë, pavarësisht se kjo është një vepër e paligjshme dhe se hulumtimet tregojnë se është një fenomen i rrallë.
“U bëj thirrje kolegëve të mi që të bëjnë atë që shumica dërrmuese e popullit të këtij vendi kërkon me të drejtë dhe meriton, të parandalojnë joshtetasit që të votojnë në zgjedhjet amerikane”, tha zoti Johnson të martën.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha për gazetarët se nuk ishte gati të diskutonte ndonjë plan alternativ për financimin e qeverisë përveç projektpropozimit që do të dalë para ligjvënësve të mërkurën.
“Nuk do të zhvilloj bisedime për alternativa të tjera, ky është synimi. Do të punoj pa pushim që ky projektpropozim të miratohet”, tha zoti Johnson.
Sidoqoftë, legjislacioni përballet me një të tatëpjetë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe nuk ka asnjë shans në Senatin e kontrolluar nga demokratët. Masa kundërshtohet nga shumica e demokratëve dhe disa republikanë, por për arsye të ndryshme.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, tha se mënyra e vetme për të parandaluar mbylljen e pjesshme të qeverisë ishte bashkëpunimi i palëve për të arritur një marrëveshje. Ai tha se votimi në Dhomën e Përfaqësuesve, i njoftuar nga zoti Johnson, do të dështonte.
Chuck Schumer
“E vetmja gjë që do të arrijë është të bëjë të qartë se po shkon në një rrugë pa krye”, tha demokrati Schumer. “Ne duhet të kemi një plan dypartiak në vend të kësaj”.
Masa do të lejonte financimin e përkohshëm të qeverisë në nivelin aktual ndërsa ligjvënësit anashkalojnë dallime e tyre për të arritur një marrëveshje për një buxhet të plotë vjetor. Demokratët dhe disa republikanë kërkojnë një masë afatshkurtër buxhetore duke krijuar mundësinë për miratimin e një buxheti të plotë pas zgjedhjeve të nëntorit dhe nënshkrimin në ligj nga Presidenti Biden.
Por zoti Johnson dhe disa nga anëtarët më konservatorë republikanë kërkojnë një zgjatje gjashtëmujore të buxhetit aktual, me shpresën se kandidati republikan Donald Trump do t’i fitojë zgjedhjet dhe do t’u japë atyre më shumë hapësirë për buxhetin vjetor.
Senatori Schumer thotë se një masë gjashtëmujore nuk do t’i plotësonte nevojat e Pentagonit dhe agjencive të tjera qeveritare që kanë nevojë për më shumë siguri financiare.
Republikani Johnson tha javën e kaluar se nuk do të hiqte dorë nga propozimi i tij dhe se do të punonte gjatë fundjavës për të fituar mbështetje. Ai tha se sigurimi që vetëm shtetasit amerikanë të votojnë në zgjedhjet federale është “çështja më urgjente tani dhe ne do ta bëjmë këtë”.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ishte në Florida të dielën për një takim me zotin Donald Trump, i cili më parë duket se inkurajoi mbylljen e pjesshme të qeverisë nëse republikanët nuk marrin garanci për sigurinë zgjedhore.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi në muajin korrik një projektligj që kërkon provën e shtetësisë amerikane për votuesit. Projektpropozimi për buxhetin kundërshtohet nga disa republikanë të cilët i konsiderojnë shpenzimet si të tepërta./VOA