Është intervistuar një dëshmitar zjarrvënie në njërën nga shtëpitë e ndërtuara në veri, konkretisht në lagjen “Kroi Vitakut” në Mitrovicë të Veriut.
Kështu ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, i cili tha se pas intervistimit, dëshmitari është liruar.
“Është intervistuar si dëshmitar dhe pas intervistimit është liruar”, është shprehur tutje Elshani.
Gjatë ditës së sotme, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se një shtëpie të ndërtuar nga Qeveria në veri, i është vënë zjarri.
Krasniqi ka thënë se rasti ka ndodhur pak pas mesnate. Nuk ka pasur persona të lënduar si pasojë e zjarrit.
Ministri Krasniqi ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre.
“Rreth orës 00:30 gjatë mesnatës një patrollë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në Kodrën e Minatorëve. Zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar. Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të lënduar veç dameve materiale. Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja.
Qeveria e Republikës së Kosovës e denon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre. Kërcënimet, shantazhet, pamfletat terroriste, nuk i friksojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qendrueshëm.
Ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”, ka shkruar Krasniqi.