Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kush është Marta Kos, Komisionerja e re Evropiane për Zgjerim: Ajo ishte kandidate për presidente të Sllovenisë

Kush është Marta Kos, Komisionerja e re Evropiane për Zgjerim: Ajo ishte kandidate për presidente të Sllovenisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen (Von der Leyen), propozoi Marta Kos, kandidate nga Sllovenia, si Komisionere të re Evropiane për Zgjerim. Duke prezantuar kandidatët për komisionerë, von der Leyen tha se Kos do të jetë gjithashtu përgjegjëse për politikën e fqinjësisë Lindore, do të punojë për të mbështetur Ukrainën, duke përfshirë rindërtimin e këtij shteti dhe “të mbështesë vendet kandidate për t’u përgatitur për anëtarësimin e tyre në Bashkim.“

Sllovenia konfirmoi javën e kaluar se Kos do të jetë kandidati i vendit për Komisioner Evropian. Më parë, Tomas Vasel hoqi dorë nga kandidatura. Sipas mediave sllovene, kjo është bërë me qëllim që Ursula von der Leyen të arrijë objektivin e saj për balancën gjinore në Komision. Sipas Politico, Sllovenia u “shpërblye për kalimin nga një kandidat mashkull në një femër” duke marrë këtë portofol.

Marta Kos, e cila pritet të zëvendësojë hungarezin Oliver Varhelyi, është një ish-ambasadore sllovene në Gjermani dhe Zvicër. Ajo ishte nënkryetare e Lëvizjes Liberale për Liri, e cila drejtohej nga kryeministri Robert Golob. Në vitin 2022, ajo kandidoi për presidente të Sllovenisë, por u tërhoq nga fushata.

Kandidatët për komisionerë evropianë do t’i nënshtrohen dëgjimeve në komisionet e Parlamentit Evropian në javët në vijim. Ata do të duhet të marrin dritën jeshile nga anëtarët e Parlamentit Evropian për t’u zgjedhur në detyrë. Parlamenti Evropian do të votojë për Komisionin e ri Evropian në tërësi përpara se ai të marrë detyrën, i cili do të bëhet më së shpejti më 1 nëntor.

Powered by WordPress