Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Von Der Leyen shtron drekë pune për liderët e Ballkanit Perëndimor, nuk dihet për emrat e mysafirëve

Von Der Leyen shtron drekë pune për liderët e Ballkanit Perëndimor, nuk dihet për emrat e mysafirëve

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, më 19 shtator do të pres për një drekë punë të gjithë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në agjendën e Von Der Leyen është konfirmuar vetëm takimi, ndërkohë s’është zbuluar se kush do të jenë përfaqësuesit e shteteve të ftuar në këtë drekë pune që lidhet me reformat dhe Planin e Rritjes.

Në këtë drekë pune do të marrë pjesë edhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

“Z. Olivér Várhelyi merr pjesë në drekën e punës me liderët e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Ky takim me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas raportimeve, do të shërbejë për të parë se ku kanë arritur këto vende me përgatitjet e tyre për t’i realizuar qëllimet e Planit të Rritjes.

Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027.

Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.

Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të këtij rajoni.

Përfituese të këtyre mjeteve janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.

Plani ka po ashtu qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian./GazetaExpress/

Powered by WordPress