Alarm për bombë, avioni i nisur nga Varshava bën ulje emergjente në Podgoricë

Një aeroplan i një kompanie polake ka bërë pasditen...
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Stresi në jetën e përditshme

Extra AL PVC

Shkruan: Dr, Don Anton UKA

Sot shumë njerëz ndihen të stresuar dhe e shprehin atë në mënyra të ndryshme, ndonjëherë edhe duke pretenduar se nuk i dinë saktësisht shkaqet e stresit që përjetojnë. Kjo është arsyeja pse nuk është e pazakontë të dëgjosh njerëz që i drejtohen klinikave të ndryshme psikologjike e të thonë: “Ndihem i stresuar, por nuk e di pse”.

Bazuar në këtë përvojë të përgjithshme ose perceptim të njerëzve, është e vështirë t’i japësh një përgjigje të vetme stresit, pasi secili ka përvojën e tij origjinale me stresin. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se stresi ka disa karakteristika të përbashkëta për të gjithë: është reagim i natyrshëm psikologjik dhe fiziologjik që trupi zbaton ndaj detyrave, vështirësive, ngjarjeve ose tensioneve në jetë të perceptuara si të tepruara ose të rrezikshme. Nga kjo kuptojmë se njeriu zakonisht bëhet i stresuar kur është më i ekspozuar ndaj angazhimeve, mendimeve dhe “presioneve” me të cilat nuk është mësuar.

Gjithashtu duhet theksuar se stresi mund të jetë i llojeve të ndryshme, kryesisht i klasifikuar si stres akut dhe stres kronik. Stresi akut i referohet fazës së identifikimit që fillon menjëherë pas situatës që shkaktoi stresin dhe zakonisht ndodh në një periudhë të shkurtër kohore. Ndërsa, stresi kronik nënkupton ekspozimin e vazhdueshëm ndaj situatave apo ngjarjeve stresuese që zgjasin për një periudhë të gjatë kohore.

Termi stres është i vonshëm dhe është përdorur për herë të parë në mjekësi, në vitin 1936, nga studiuesi austriak Hans Seley. I njëjti studiues renditi tre faza të stresit: faza fillestare, e quajtur edhe faza alarmante; faza e rezistencës, faza në të cilën proceset e përbashkëta mendore dhe të sjelljes aktivizohen për të përballuar një situatë të caktuar; dhe së fundi faza e rraskapitjes apo kolapsit të rezistencës, e cila mund të përfundojë tragjikisht.

Faza fillestare e stresit

Çdo sëmundje ose çrregullim fizik dhe mendor fillon me një alarm që mobilizon natyrshëm organizmin e njeriut, duke rizgjuar forcat dhe burimet e tij mbrojtëse: sistemi imunitar.

Po t’u referohemi fjalorëve të psikologjisë, do të kuptojmë se stresi përkufizohet si një angazhim ose zgjatje e tepruar fizike, mendore dhe emocionale, domethënë jo proporcional me aftësitë fizike, mendore dhe emocionale të njeriut. Nga kjo kuptojmë se një dozë e moderuar stresi është gjithmonë e nevojshme për njeriun dhe kjo është pozitive. Por, në momentin që bëhet e tepruar, me shumë mundësi do të bëhet e dëmshme për shëndetin mendor dhe fizik të njeriut. Kjo nuk do të thotë se ka stres pozitiv dhe negativ, jo, stresi – siç do të thoshte Seley, zbuluesi i mekanizmave themelorë të stresit – është si kripa në dy karakteristikat e saj themelore: nëse përdoret me masë është i mirë, nëse përdoret me tepri, është i dëmshëm.

Vështirësia në komunikimin e gjendjes së brendshme stresuese është edhe rezultat i një terminologjie që fatkeqësisht është ende e dobët (e varfër) në këtë drejtim. Megjithatë, shkaqet e stresit, psikologjia i quan ngjarje stresuese të cilat mund të jenë të shumta dhe të ndryshme. Për shembull mund të citojmë ngjarjet e këndshme dhe të pakëndshme të jetës; faktorët e mjedisit; ngjarje të paparashikueshme; përvojë pune; shoqëria; faktorët biologjikë; frika; situata të pakontrollueshme; botëkuptime të ndryshme; mënyrat e të menduarit etj. Të gjitha këto situata dhe përvoja mund të shkaktojnë stres të tepruar apo edhe të dëmshëm në jetën e njeriut, ndaj nevoja për t’u përballur me stresin bëhet e natyrshme.

Faza e rezistencës

Në këtë fazë të dytë organizmi i njeriut është plotësisht i përkushtuar për të përballuar situata apo ngjarje stresuese.

Ashtu si përvoja ose intensiteti i stresit është unik për çdo person, ballafaqimi me të është gjithashtu i ndryshëm nga personi në person. Në lidhje me këtë psikologu i famshëm italian tha: “Shkalla në të cilën përjetohet stresi ndryshon nga individi në individ, sepse varet nga burimet fizike që posedon, si gjendja shëndetësore dhe sasia e energjisë në dispozicion, burimet psikologjike si vetëvlerësimi, aftësia për të kontrolluar, optimizmi dhe në fund burimet sociale si p.sh. aftësitë relacionale dhe mundësia për të pasur mbështetjen nga të tjerët”.

Tani mendoj se është e rëndësishme t’i referohemi filozofit amerikan Walter Bradford Cannon i cili zhvilloi një koncept shumë të rëndësishëm të cilin e quajti “fight o flight”, që përkthyer në shqip do të thotë “lufto ose fluturo”, ose më mirë thënë “lufto ose ik”. Me këtë shprehje Cannon i referohej përgjigjeve (reagimeve) fiziologjike që trupi ynë merr instinktivisht. Për të kuptuar më mirë këtë koncept mund të marrim si shembull momentin në të cilin një person mund të ndihet i sulmuar nga një qen, në atë moment trupi i tij do të reagojë përmes sinjaleve konkrete të rrahjeve të shpejta të zemrës, zbehjes, djersitjes etj., kjo do të thotë se trupi percepton automatikisht situatën e rrezikshme, kështu që personi përballet me dy opsione: të luftojë (të ballafaqohet) ose të ikë (të mos ballafaqohet).

Shumë studiues të kësaj fushe sugjerojnë mënyra apo qasje të ndryshme për t’u përballur me situatat stresuese dhe ne do të shqyrtojmë vetëm disa prej tyre.

1. Organizohuni mirë

Përvoja personale na dëshmon se çdo organizim i mirë ka avantazhet e tij të padiskutueshme. Një person i organizuar mirë në jetë është zakonisht më produktiv, më fleksibël ndaj ndryshimeve të papritura, më i gatshëm për të komunikuar, më i motivuar, më i ekuilibruar, më i hapur ndaj ndryshimeve, më i kënaqur, etj. Organizimi i mirë i kohës dhe i vetes e ndihmon një person të kryejë detyrat e tij, jo sa më shpejt të jetë e mundur, por, përkundrazi, me më pak përpjekje dhe pa stres. Të mos grumbullosh detyra (obligime) ose më mirë të mbarosh njërën përpara se të kalosh në tjetrën është jashtëzakonisht e rëndësishme për t’i bërë gjërat pa stres.

2. Ruani miqësitë

Ekspertët shpirtërorë dhe psikologjikë besojnë se aftësia për të mbajtur miqësi dhe gatishmëria për të ndarë gëzimet dhe shqetësimet e jetës me ta është qetësuesi më i rëndësishëm i stresit. Prandaj, gjetja e kohës për të kaluar momente me familjen, miqtë dhe ata që na duan vërtet dhe na besojnë është një ndihmë e madhe, veçanërisht në ato momente kur kemi më shumë nevojë.

3. Mbani distancë nga gjërat e dëmshme

Shumë herë mund të hasim situata, raste dhe probleme mbi të cilat nuk mund të ndikojmë siç do të donim. Prandaj, gjëja e parë që rekomandohet të bëni në këto raste është të eliminojmë ngadalë gjithçka që nuk mund të ndikojmë për të ndryshuar apo përmirësuar. Kjo do të reduktojë automatikisht burimet e stresit. Tendenca për të pasur gjithçka nën kontroll shkakton stres të madh, ndaj pranimi i kufijve tuaj është mençuria që ju jep shumë paqe (qetësi) mendore dhe shpirtërore.

4. Mendoni pozitivisht

Të shikosh të ardhmen me qetësi dhe me një qëndrim pozitiv, të cilin ne të krishterët e quajmë shpresë, është jashtëzakonisht e rëndësishme për mirëqenien e njeriut në përgjithësi (mendjen, shpirtin dhe trupin). Nëse do të vepronim në këtë mënyrë, do të kuptonim se në realitet janë shumë pak situata që çojnë në katastrofë. Shumë herë njeriu për shkak të një qasjeje të gabuar krijon apo edhe përafron katastrofën. Përpara se të shohim pjesën negative, është mirë të përpiqemi të gjejmë të mirën ose pozitiven në situatat e jetës sonë dhe të pyesim veten: çfarë mësimi mund të mësohet prej saj? Besimi dhe optimizmi janë shumë të dobishëm.

5. Thoni lamtumirë perfeksionizmit

Ideja ose dëshira për t’i bërë gjërat në mënyrë perfekte ose për t’u dukur perfekt para të tjerëve krijon stres të madh tek personi që pretendon ta bëjë këtë dhe tek ata me të cilët ai ose ajo jeton. Prandaj, sa më shpejt ta heqim qafe këtë ide, aq më mirë do të jetë. Lejojini vetes papërsosmërinë tuaj, por edhe gabimet tuaja, më pas pranoni veten në realitetin tuaj. Kuptoni dhe besoni se nuk jeni perfekt, as pa gabime, sepse duke vepruar kështu tashmë jeni në rrugën që të çon drejt përsosmërisë.

Nëse në të gjitha këto përpjekje “njeriu dështon sepse stresi tejkalon aftësinë për t’u përgjigjur, individi është i ekspozuar ndaj sëmundjeve mendore, sëmundjeve somatike ose të dyja në të njëjtën kohë”, thoshte Umberto Galimberti.

Faza e rraskapitjes

Rraskapitja ndodh kur ekspozimi ndaj ngjarjes stresuese vazhdon në mënyrë jonormale dhe organizmi nuk mund të mbajë më gjendjen e rezistencës. Në këtë fazë, në trup ndodhin patologji të vështira për t’u kthyer dhe në raste ekstreme.

Në këtë fazë të rraskapitjes apo shterimit të burimeve të nevojshme për të përballuar situata të vështira stresuese shfaqen simptomat e stresit, të cilat kryesisht ndahen në katër kategori:

1. Simptomat fizike: lodhje, dhimbje koke, dhimbje barku, djersitje, pagjumësi, zhurmë në vesh, çrregullime seksuale, etj.

2. Simptomat e sjelljes: shtrëngimi i dhëmbëve, përdorimi i tepruar i alkoolit, kritikimi i të tjerëve, pamundësia për të bërë gjërat ose detyrimet në mënyrë korrekte, etj.

3. Simptomat emocionale: të qara edhe pa kuptim, ankth, nervozizëm, vetmi, mungesë kuptimi në jetë, pakënaqësi, ndjenjë e pamundësisë për të ndryshuar, ndjenjë e madhe presioni etj.

4. Simptomat njohëse: mungesa e kreativitetit, shqetësimi i vazhdueshëm, humbja e sensit të humorit, harresa, pamundësia për të marrë vendime, probleme me të menduarit e qartë etj.

Përvoja shpirtërore dhe stresi

Megjithëse Shkrimi i shenjtë – Bibla – nuk flet drejtpërdrejt për stresin, ai është një burim i pashtershëm nga i cili mund të marrim ushqim dhe forcë të madhe për të ushqyer mendjen dhe shpirtin tonë. Çdo njeri duke lexuar, medituar dhe duke besuar fjalët e Jezusit mund të mësojë vërtet shumë për t’u përballur me situata stresuese dhe pse jo edhe për t’u shëruar nga një marrëdhënie e çrregullt me veten, me të tjerët dhe me gjërat materiale.

Për shembull, aspekti financiar konsiderohet si shkaktar serioz i shumë krizave personale dhe familjare dhe disa janë aq të lidhur me paratë sa mendojnë se gjithçka varet prej saj. Jezusi u thotë të tillëve: “Mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese që mund të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet?” (Mt 6, 25-27).

Ka njerëz që stresohen jashtëzakonisht shumë kur hasin në një vështirësi, prandaj fjala e Zotit u thotë: “Çmoni për gëzim të vërtetë, vëllezërit e mi, kur t’iu ndodhë të sprovoni çdo lloj vështirësie, duke e ditur se prova e fesë suaj lind qëndrueshmërinë. Por qëndresa le të ushtrohet me përpikëri që të jeni të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete” (Jak 1, 2-4).

Ka shumë njerëz që jetojnë në shqetësime të vazhdueshme duke menduar se kështu do të zgjedhin problemet e tyre. Edhe për këta fjala e Zotit thotë: “Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka me lutje të përcjella me falënderim paraqitjani Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus” (Fil 4, 6-7).

Ka shumë njerëz që, për shkak të situatave të tyre vërtet të vështira, ndonjëherë edhe të pakuptueshme, jetojnë në stres dhe frikë të vazhdueshme, edhe për ta Jezusi ka një fjalë që jep siguri: “Unë jam me ju gjithmonë deri në të sosur të botës!” (Mt 28, 20).

Ka nga ata që jetojnë në stres, sepse themelet e jetës së tyre dhe të familjes së tyre janë tronditur sepse e kanë ndërtuar jetën e ndoshta edhe familjen e tyre mbi rërë ose mbi materializëm, egoizëm, interes, mashtrim, drogë, zota të rremë të kësaj bote. Për këtë, Jezusi me liri dhe dashuri të madhe na fton ta ndërtojmë jetën tonë me përgjegjësi të madhe, duke i besuar fjalës së tij, që edhe kur fryjnë erëra (kriza) të vështira mbi jetën tonë, ajo të rezistojë, prandaj thotë: “Kështu, kushdo i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb. Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat e u përplasën për atë shtëpi, por ajo nuk u rrëzua, sepse i kishte themelet në shkëmb” (Mt 7, 24-25).

spot_img

Të fundit

Alarm për bombë, avioni i nisur nga Varshava bën ulje emergjente në Podgoricë

Një aeroplan i një kompanie polake ka bërë pasditen...

“Kush je ti që e përfaqëson komunitetin LGBT – pajtohna edhe me Burdushin”, Valon Syla i reagon ashpër Klinakut

Abdullah Klinaku politikan e pyeti analistin Valon Syla “kush...

Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi, bashkëshortja e njërit të akuzuar thotë se nga mediat ka kuptuar për zhdukjen e tij

Bashkëshortja e të akuzuarit, Jeton Vllasaliu, në cilësinë e...

“Tung e ki, a të thashë mos fol sene që s’i din”, nxehet debati mes Zana Avdiu e Azdren Shalës

“Koalicionet fetare dhe kauza për Familjen”, është tema që...

Alarm për bombë, avioni i nisur nga Varshava bën ulje emergjente në Podgoricë

Një aeroplan i një kompanie polake ka bërë pasditen e sotme ulje emergjente në aeroportin e Podgoricës, pasi kapiteni raportoi se kishte informacion se...

“Kush je ti që e përfaqëson komunitetin LGBT – pajtohna edhe me Burdushin”, Valon Syla i reagon ashpër Klinakut

Abdullah Klinaku politikan e pyeti analistin Valon Syla “kush je ti që e përfaqëson LGBT-në”, në Pressing në T7. Pjesë nga debati mes tyre: Klinaku: Ju...

Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi, bashkëshortja e njërit të akuzuar thotë se nga mediat ka kuptuar për zhdukjen e tij

Bashkëshortja e të akuzuarit, Jeton Vllasaliu, në cilësinë e dëshmitares, Nadire Gashi, deklaroi se për zhdukjen e tani të ndjerit Bedri Rexhepi kishte kuptuar...