Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Pse pushteti zgjodhi rrugën me të dobishme për të, por të dëmshme për Kosovën për të reaguar ndaj masave të Vuçiq-it?

Pse pushteti zgjodhi rrugën me të dobishme për të, por të dëmshme për Kosovën për të reaguar ndaj masave të Vuçiq-it?

 

Shkruan: Afrim Kasolli

Ka qenë e pritshme që masat e shpallura nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, të shkaktonin reagim edhe në Kosovë. Dhe në këtë drejtim, po ashtu se pushteti nuk do ta lëshonte këtë rast për ta interpretuar si triumf përfundimtar të shefit të tyre kundër lideri serb.

Fillimisht, para se të kumtoheshin ato, reagoi kryeministri Kurti, duke paralajmëruar se “Serbia në koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës”. Mirëpo, sipas tij, “sot Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet”.

Nuk ka dyshim që asgjë e re nuk do të dilte nga shfaqja e planifikuar ditën e premte në ora 18 nga lideri serb, por në këtë atmosferë të hiperpolitizuar, sidomos të ushqyer nga mediat e afërta me regjimin në Beograd, mbi shpalljen e Kosovës si territor të okupuar, me këtë rast edhe të parit të qeverisë së Kosovës i nevojitej kjo klimë për stimulim të adrenalinës elektorale. Sepse nuk është se Albin Kurti nuk e dinte se ai paralajmërim nuk ishte asgjë tjetër, pos një amplifikim propagandistik i regjimit në Beograd për nevojat e brendshme. Se është iluzore që ai do të ndërmerrte aventura të tilla në një kohë kur e ka afruar Serbinë me Perëndimin në nivele të panjohura më parë. Pra se ai do urdhëronte që forcat e tij ushtarake të konfrontoheshin me KFOR-in pak dimë para se të mbahet konferenca e parë në Uashington mbi raportet Amerikano-Serbe. Po ashtu, me këtë rast SHBA-të dhe Serbia do të nënshkruajnë një marrëveshje për avancim të bashkëpunimit energjetik. Pra shihet se më atë reagim Kurti ka pasur për qëllim vetëm ta maskojë këtë realitet.

Ndërkohë, pasi u shpallën ato masa i madh i vogël nga partia në pushtet u mobilizuan që këto masa t’i interpretojë si kërkesa të kryetarit serb, për t’i rikthyer privilegjet që ai i gëzonte në kohën e opozitës, por që pushteti aktual ka arritur t’i abrogojë.

Mirëpo, nëse lexohen ato, disa prej tyre para se të jenë të kërkesa të Vuçiqi-it, janë kritere të bashkësisë ndërkombëtare. Me këtë rast Kosova i është nënshtruar një presioni të hatashëm diplomatik nga Uashingtoni dhe Brukseli për t’i plotësuar sa më parë që të jetë e mundur. Për këtë arsyeje vendi është vendosur nën masa sanksionuese si dhe nën izolim ndërkombëtar. Kurse edhe vet pushteti ka marr përgjegjësi se do t’i zbatojë.

Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka pranuar si me Marrëveshjen bazike të Brukselit, ashtu edhe aneksin e zbatimit të Ohrit. Ndonëse është e vërtetë, siç kanë shkruar, Leon Hartëell dhe Jack Galloëay, në shkrimin, “West Appeases Serbia’s Bullying” se nuk ekziston një lidhje kauzale ndërmjet themelimit të këtij entiteti dhe përfundimit të konfliktit me Serbinë.

Por edhe në këtë rast është kjo Qeveri që është pajtuar për këtë temë në të njëjtën marrëveshje, e ku relativizohet ndërkombëtarisht shtetësia e Kosovës, sepse kërkon që të dy palët t’i qasen pa paragjykim statusit shtetëror. Ndërkohë, për shkak të refuzimit për të proceduar më këtë ketë, Kosova nuk ia doli që të anëtarësohet në Këshill të Evropës, dhe ky dështim nuk lidhet me fushatën lobuese të Serbisë, por me mosgatishmërinë e shteteve te QUINT-it, përkundër zotimit të krerëve të shtetit se do ta zbatojnë atë në këmbim të këtij anëtarësimi. Edhe thirrja për mbajtën e zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat veriore shumë më shumë ka qenë kërkesë e diplomatëve amerikanë, se sa e Vuqicit. Kurse për tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu është pajtuar edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Bratislavë të Sllovakisë. Përjashto, kërkesën për pagesat e shërbimeve postare me valutën serbe, dhe anulimin e mbylljes së komunave paralele, thuajse shumica e kërkesave tjera të Vuqicit janë thuajse të njëjta me ato për të cilat është pajtuar edhe vet qeveria e Kosovës, por për të cilat e ka zvarritur zbatimin e tyre.

Madje në këtë drejtim, përjashto liderin e AAK-së Ramush Haredinaj, që ka reaguar dhe ka qenë më i qartë për zhvillimet në veri, dy liderët tjerë opozitarë, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së, kanë qenë totalisht të strukur për këtë temë. Për më shumë e kanë shndërruar vetën në kavje eksperimentale brenda kafazit politik të Albin Kuritit nga frika se do ta humbin mbështetjen elektorale nëse i kundërvihen.

Sidoqoftë, për shkak të klimës zgjedhore ku gjendemi, pushteti e zhvendosi topin të opozita. Duke i interpretuar ato masa si shprehje e nostalgjisë së presidentit serb, për kohën kur ajo e qeveriste Kosovën. Dhe në këtë mënyrë duke e transmetuar mesazhin se nuk do t’i merren në konsideratë ato. Mjerisht moszbatimi i tyre kurrfarë telashe nuk i sjell presidentit serb, por vetëm e armiqëson edhe më shumë Kosovën me partnerët ndërkombëtarë. Sepse është iluzore që bota demokratike do të pajtohet që veriu do të administrohet me struktura jo legjitime politike pa prezencë të gjyqësorit dhe policisë që rrefkëtojnë strukturën etnike të asaj pjese. Natyrisht, për këtë debalncim është përgjegjës është vet presidenti serb. Mirëpo, ky ngërç do të mund te tejkalohet, pikërisht duke punuar me partnerët e shtetit të Kosovës për ta detyruar presidentin serb të mos e sabotojë vullnetin e Prishtinës për implementim të tyre.

Mirëpo, rruga që zgjodhi pushteti, nuk ka dyshim se mund të jetë e dobishme për përfitime të brendshme elektorale, sidomos kur jemi para zgjedhjeve, por ajo nuk i zhbën obligimet e shtetit të Kosovës në raport me shumë prej tyre. Përkundrazi, vetëm sa do t’i shtohen detyrimet në këtë drejtim./tvarbëria/