Tetë persona kanë humbur jetën duke u përpjekur të kalojnë Kanalin nga Franca për në Angli, thanë të dielën autoritetet franceze, duke konfirmuar raportet e mëparshme të mediave. Ky incident i fundit vjen pas vdekjes së 12 personave në fillim të këtij muaji, kur anija e tyre u përmbys në Kanal gjatë rrugës për në Britani, duke theksuar presionin mbi qeveritë britanike dhe franceze për të gjetur mënyra për të trajtuar kalimet me anije.
Jacques Billant, Prefekti i rajonit Pas-de-Calais, tha se ekipet e shpëtimit u njoftuan se një anije me 59 persona në bord ishte në vështirësi në ujërat pranë bregut të Ambleteuse në zonën e Pas-de-Calais, ka raporuar Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Një tragjedi e re ndodhi rreth orës një të mëngjesit dhe ne deplorojmë vdekjen e tetë personave,” tha ai në një konferencë për shtyp, duke shtuar se 51 personat e tjerë në bord janë tani nën kujdesin e ekipeve të shpëtimit dhe mjekëve.
Viktimat ishin burra nga Eritrea, Sudani, Siria, Egjipti, Irani dhe Afganistani, shtoi ai. Kanali është një nga rrugët më të ngarkuara të transportit detar në botë dhe rrymat janë të forta, gjë që e bën kalimin me anije të vogla të rrezikshëm.