Shkruan Afrim Kasolli
Dita ndërkombëtare e demokracisë asnjëherë nuk ka qene me kuptimplote se kete vit. Kjo për shkak se viti 2024 ndryshe u quajt edhe si viti i testimit global te demokracisë. Mbi 4.2 miliardë njerëz do te duhej ta realizonin te drejtën e tyre për të votuar për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Një cikel i tillë zgjedhor do të mund të përsëritet vetëm në 2048. Në shume shtete si Indi, Britani, France( te paplanifikuara), Rusi, Meksikë dhe zgjedhjet per Bashkimin Evropian, u mbajtën zgjedhjet. Në shumë prej tyre e djathta ekstreme njohu rritje. Ne disa shtete zgjedhjet u shndërruan vetëm në farsë, sikur ne Rusi. Dhe me Ukrainën qe po e zhvillon nje beteje epike kundër ketij modeli agresiv autokratik. Kurse në vende si Britania u deshmua qëndrueshmeria e këtij sistemi politik.
Mirëpo, zgjedhjet më te rëndësishme, e qe padyshim do ta kenë një implikim tjeter planetar, jane ato që do të mbahen në muajin nëntor në SHBA- me rastin e zgjedhjes së presidentit te ri, ku në garë janë ish-presidenti Donald Trump, si kandidat i Partisë Republikane dhe zëvendës-Presidentja, Kamala Harris, si kandidate e Partisë Demokratike.
Në përgjithësi ky sisetem ka njohur nje prapakthim në skenën globale. Sipas të dhënave të institutit V-Dem, një organizatë kjo që merret me studimin e demokracisë, sot 70 përqind e popullsisë botërore është duke jetuar nën regjime autokratike. Kurse organizata Freedom House, ka tërhequr vërejtën se me shumë shtete jane duke përjetuar përkeqësim të lirive civile dhe politike se sa përmirësim.
Në anën tjetër, hulumtimet e opinionit kanë treguar gjatë viteve të fundit, pakënaqësia dhe zhgënjimi mbi efektet e mirëfunksionimit të demokracisë është rritur edhe në SHBA dhe shumë shtete tjera të Evropës Perëndimore. Sipas një hulumtimi të realizuar nga Ipsos, në shumë shtete perëndimore, sot është përhapur bindja se sistemi aktual demokratik i favorizon shumë më shumë të pasurit dhe të pushtetshmit, si dhe e injoron dhe neglizhon çdo kategori tjetër sociale.
Në këtë kontekst, shkruan “The Guardian” shtatë nga dhjetë amerikanë sot besojnë se demokracia e ka marrë tatëpjetën. Po ashtu, 73 përqin e qytetarëve të Francës pajtohen me këtë konstatim. Kurse gjashtë nga dhjetë britanikë besojnë se ky sistem kohën e fundit është duke punuar gjithnjë e më pak në favor të interesave të tyre. Shumica e qytetarëve të anketuar në disa vende të Evropës sikur se Kroaci, Poloni Itali, Suedi etj etj, janë pajtuar se ka ardhur koha për ndryshime radikal. /TV Arbëria