Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në një përgjigje për TV Arbëria, është deklaruar lidhur me kërkesat e Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, ndaj Kosovës.
Abrashi ka deklaruar se këto kërkesa nga Serbia, veçse janë të njohura tash e sa kohë, dhe se sipas tij Serbia po kërkon ta kthejë epokën para ardhjes së Albin Kurtit, në krye të Qeverisë.
“Siç e pamë të gjithë konferencën e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, në tetë pikat ku ai i përmbledhi si kërkesa, si kushte ndaj Kosovës, në realitet janë kërkesa që tash e sa kohë vazhdojnë të rëndojnë mbi institucionet e Kosovës, si kërkesa të Serbisë. Dhe po t’i përmbledhim krejt këto kërkesa dalim vetëm një, e ajo është se Aleksandër Vuçiq, Serbia kërkon të kthehet epoka para ardhjes së Albin Kurtit, në krye të Qeverisë së Kosovës. Ajo epokë ku në veri sundojnë bandat, ajo epokë ku në veri nuk ka policë, ajo epokë ku në krye të komunave qëndrojnë kryetarë që nuk e njohin rendin juridik të Kosovës, ajo epokë ku lulëzon kriminaliteti, pasiguria, dhe të gjitha gjërat negative të cilat fal angazhimit dhe përkushtimit të madh të Qeverisë Kurti, arritën të ç’rrënjosen dhe se fal kësaj nisem një proces i ri i integrimit të veriut, i shtrirjes së sovranitetit të Kosovës, i ruajtjes së integritetit territorial, rrespektivisht kthim i paqes dhe sigurisë në veri”, ka deklaruar deputeti i VV-së për TV Arbëria.
Deputeti tutje thotë se këto kërkesa, nuk përbëjnë asnjë obligim për Kosovën.
“Natyrisht se këto kërkesa nuk do të përbëjnë asnjë obligim për Kosovën, ne jemi të përkushtuar që ta implementojmë realizojmë rendin tonë kushtetues dhe juridik në çdo cep të vendit, pavarësisht se kjo mund apo nuk mund t’i pëlqejë ndokujt”, ka thënë Abrashi.
Krejt në fund, deputeti thekson se sipas tij, këto kërkesa nga ana e Serbisë, kishin të bënin, për nga ana e asocimit, me kërkesat që i ka opozita në Kosovë.
“Ajo se çfarë më ra në sy ishte se pak nga disa ato pikat që i theksojë Presidenti, Aleksander Vuçiq, kishin kogja të bënin kështu, për nga ana e asocimit me kërkesat që i ka opozita në Kosovë, por gjithsesi ne vazhdojmë punën tonë me nder dhe përkushtim, me vullnet dhe me qëndrueshmëri derisa Kosovës t’ia eleminojmë çfardo faktori të rrezikut që mund t’i kanoset”, ka deklaruar Abrashi për TV Arbëria.
VIDEO:
Kërkesat e Serbisë ndaj Kosovës:
Shpallja dhe mbajtja e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe
Tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.
Tërheqja e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
Kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
Zbatimi i menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
Kryerja e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.