Shkruan: Afrim Kasolli
Më në fund pas gati një viti, Prokuroria Speciale, e bëri publike aktakuzën e saj ndaj 45 personave, në mesin e tyre, edhe Millan Radoiçiqit, për sulmin 24 shtatorit në fshatin Banjë të pjesës veriore. Disa nga pikat e kësaj aktakuze përfshijnë veprat penale “që ndërlidhen me terrorizëm: konkretisht vepra penale kundër rendit kushtetues, financimit të terrorizmit dhe të shpëlarjes së parave”dhe po ashtu, se grupi terrorist kishte për“qëllim shkëputjen e veriut nga Kosova”.
Mirëpo, ende nuk është kristalizuar fakti “se ky atak a ka të bëjë me agresionin shtetëror serb ndaj Republikës së Kosovës, apo vetëm me një grup të organizuar terrorist”. Sepse, kur thuhet sa ata kishin qëllim ta “shkëputnin veriun nga Kosova”, shtohet pyetja se a ka mundur Prokuroria të sigurojë prova tjera, se a kishin plan që këtë pjesë ta integronin në Serbi, apo ta krijonin një shtet tjetër paralel serb në pjesën veriore edhe pse jo të njohur ndërkombëtarisht? E para veçanërisht është iluzore të mendohet se do të mund të bëhej pa mbështetjen e politikës serbe në Beograd. Por edhe opsioni i dytë po ashtu, sepse në këtë mënyrë Serbia do të justifikohej se veprime të tilla janë organizim spontan i serbëve të Kosovës, me të cilën ajo nuk ka të bëtë asgjë. Pra janë këto pyetje që mbase duhet të qartësohen gjatë ditëve në vijim, për të kuptuar involvimin e Beogradit në këtë sulm.
Sidoqoftë, publikimi i kësaj aktakuze ndodh në një kohë kur është duke u përgatitur takimi i ardhshëm i dialogut në Bruksel ndërmjet numrit dy të Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi dhe krye negociatorit nga Serbia, Petar Petkoviq.
Kryeministri Kurti, i cili e përshëndeti me gjysmë zëri, finalizimin e punës së Prokurisë, kishte refuzuar të takohej herën e fundit me presidentin serb, Aleksandër Vuqic, me arsyetimin se një gjë të tillë nuk mund ta bënte pa dorëzimin e Radoiçiqit para autoriteteve të Kosovës. Dhe ai këtë kriter e kishte vendosur kur ende nuk ekzistonte akuza zyrtare nga organet juridike, një parakusht ky për fillimin e proceduarave për ekstradimin e tij. Pra ajo kërkesë ishte më shumë politike. Mirëpo, që tani edhe zyrtarisht Milan Radoiçiqi është i akuzuar, në fund të fundit, edhe me pretendimin për “shkëputjen e veriut nga Kosova” a ka kuptim të vazhdohet procesi i dialogut, deri sa ai gjendet i strehuar në Serbi. Sepse edhe kjo mbrojtje mjafton që të dilet nga ky proces, për aq kohë sa vazhdon kjo gjendje
Arsyetimet se megjithatë në dialog nuk po merr pjesë kryeministri Albin Kurti, por vetëm zëvendësi i tij, janë më shumë se cinike. Sepse i dyti nuk udhëton në Bruksel nën emrin e familjes së tij, por në nën emrin e shtetit të Kosoës. Prandaj, çdo takim ndërmjet palëve në këto kondita, jo vetëm që nuk do të shënonte aktin mortor të dialogut për shkak të sulmit të 24 shtatorit mbi Kosovën, por mbase do ta legjitimonte atë. /TV Arbëria