Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Problemet me votimin me postë mund të ndikojnë tek zgjedhjet presidenciale amerikane

Problemet me votimin me postë mund të ndikojnë tek zgjedhjet presidenciale amerikane

Zyrtarët vendorë për zgjedhjet nga mbarë Shtetet e Bashkuara paralajmëruan të mërkurën se problemet me sistemin e dërgimit të postës në vend rrezikojnë ushtrimin e të drejtës së votës në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Zyrtarët i vunë në dukje drejtuesit të Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara se nuk ka ndrequr mangësitë e sistemit.

Në një letër alarmuese, zyrtarët thanë se gjatë vitit të kaluar, përfshirë edhe sezonin e sapopërfunduar të zgjedhjeve paraprake, fletët e votimit të postuara, që ishin vulosur në kohë, u morën nga zyrat e zgjedhjeve vendore disa ditë përtej afatit brenda të cilit duheshin numëruar. Ata vunë në dukje gjithashtu se zarfa me fletëvotime me adresa të sakta po u riktheheshin si të pasakta, një problem që mund t’ua ndryshojë automatikisht votuesve statusin e tyre në ‘joaktiv’. Kjo mund të krijojë situata kaotike edhe nëse ata paraqiten në qendrat e votimit për të hedhur votën e tyre.

Zyrtarët thanë gjithashtu se kishin dështuar kontaktet e përsëritura me Shërbimin Postar për t’i zgjidhur këto çështje dhe se natyra e përhapur e problemeve e bëri të qartë se këto nuk ishin “gabime që ndodhin në mënyre sporadike, apo një problem në disa degë të caktuara. Përkundrazi, kjo tregon një mungesë të përhapur të të kuptuarit dhe të zbatimit të politikave të Shërbimit Postar në radhët e punonjësve të tij”.

Letra drejtuar drejtuesit të Shërbimit Postar, Louis DeJoy u shkruajt nga dy organizata që përfaqësojnë administratorët kryesorë të zgjedhjeve në të 50 shtetet. Ata shprehen në letrën drejtuar zotit DeJoy: “Nuk kemi parë përmirësime apo përpjekje të bashkërenduara për të korrigjuar shqetësimet tona”.

“Lutemi që të merrni masa korrigjuese të menjëhershme dhe të prekshme për të trajtuar problemet e vazhdueshme të funksionimit të postës për procesin zgjedhor”, shtuan ata. “Dështimi në këtë drejtim do të rrezikojë kufizimin e pjesëmarrjes dhe të besimit të votuesve në procesin zgjedhor”.

Një mesazh i dërguar ku kërkohej një reagim nga Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara nuk mori përgjigje të menjëhershme.

Dy organizatat, Shoqata Kombëtare e Sekretarëve të Shtetit dhe Shoqata Kombëtare e Drejtorëve të Zgjedhjeve Shtetërore, thanë se zyrtarët e zgjedhjeve lokale “pothuajse në çdo shtet” po i marrin fletëvotimet, me vulën postare të vendosur në afatin e duhur, pas ditës së zgjedhjeve dhe përtej afatit 3-5 ditë pune, që Shërbimi Postar thotë se është standarti për postën e klasit të parë.

Në letrën e tyre të së mërkurës, zyrtarët e zgjedhjeve thonë se kolegët e tyre nga mbarë Shtetet e Bashkuara kanë raportuar se personeli i Shërbimit Postar, duke filluar nga menaxherët dhe deri tek transportuesit e postës, nuk janë të informuar në lidhje me politikat për trajtimin e postës që lidhet me zgjedhjet, se atyre u jepen udhëzime që ndryshojnë vazhdimisht dhe se i shpërndajnë fletëvotimet në mënyrë të gabuar./VOA

Powered by WordPress