Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Nuk ia huqin vetëm tanët me skulpturat”, kritika për shtatoret e Mbretëreshës Elizabeth dhe Princit Philip në Irlandën e Veriut

“Nuk ia huqin vetëm tanët me skulpturat”, kritika për shtatoret e Mbretëreshës Elizabeth dhe Princit Philip në Irlandën e Veriut

Një skulpturë e re prej bronzi e mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II dhe princit Philip ka ngjallur një reagim të ashpër nga banorët vendas në Irlandën e Veriut.

Vepra e artit u zbulua në Antrim Castle Gardens të premten.

Skulptura u porosit nga Këshilli i Bashkisë Antrim dhe Newtownabbey, i cili tha se pjesa “kap Madhërinë e saj në një pozë dinjitoze, duke reflektuar hirin, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e saj të përjetshëm ndaj shërbimit publik”.

Por është pritur me një vërshim kritikash nga ata që e kanë cilësuar si “të neveritshme” dhe thonë se “nuk i ngjan Mbretëreshës”.

Këshilltarja e Antrim dhe Newtownabbey Vera McWilliam i tha BBC News NI: “Duhet të jemi të sinqertë, nuk i ngjan mbretëreshës në asnjë formë”.

Banori vendas Richard, i cili kishte qenë për të parë statujën me gruan e tij, tha për median se ishte “me të vërtetë i zhgënjyer”.

“Kushdo që e ka nënshkruar atë ka nevojë që të testojë sytë. Nuk është mirë”, tha ai.

Dr Dani Sulikoëski e përshkroi statujën si “qesharake”. “As nuk duket si ajo, apo jo?”, shkroi ajo në X. “A jam e verbër, apo nuk ka të bëjë asgjë me Mbretëreshën?”.

Një përdorues tjetër i X tha: “Është e tmerrshme…Nuk duket aspak si mbretëresha apo princi.. E tmerrshme.. e tmerrshme. Shkrijeni dhe filloni përsëri”.

Lajmin për këtë ngjarje e ka shpërndarë profesori Muhamet Hamiti, i cili tha se “nuk ia huqin vetëm tanët” me skulptura.

“Nuk ia huqin vetëm tanët me skulpturat! “Shkrijeni skulpturën dhe nisjani prapë”! paskan kërkuar të pakënaqurit me skulpturën e bronztë të Mbretëreshës Elizabeta II dhe të të shoqit të saj”.

Në Kosovë shumë shpesh statujat për personalitete të ndryshme bëhen subjekt i kritikës dhe përqeshjes.

Rasti më i fundit ishte e britanikut Tony Blair në Ferizaj, e cila u komentua edhe në mediat e huaja.

The Independent kishte shkruar se njerëzit e vunë në dyshim nëse ai ishte Tony Blair apo aktori australian, Jason Donovan./Express/