Franca do të ketë Qeveri të re “javën e ardhshme”, tha kryeministri konservator i zgjedhur së fundi, Michel Barnier, teksa ai po përzgjedh personat që do të jenë ministra në kabinetin që do të udhëheqë.
“Ne do t’i bëjë gjërat në mënyrë metodike dhe serioze”, tha Barnier për gazetarët, duke shtuar se ai do të dëgjojë “të gjithë” në skenën politike, që është e ndarë në tri kampe, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në korrik.
“Ne do të emërojmë një Qeveri javën e ardhshme”, tha ai.
Barnier ka shërbyer si ministër i Mjedisit, i Bujqësisë dhe i Punëve të Jashtme, ka qenë edhe ish-kryenegociatori i Bashkimit Evropian gjatë Brexit-it. Javën e kaluar presidenti francez, Emmanuel Macron, e emëroi atë si zgjedhje kompromisi për të udhëhequr me ekzekutivin e ri.
Në Parlamentin francez nuk ka shumicë të qartë, pas vendimit të Macronit për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare.
Asambleja është gjerësisht e ndarë mes mbështetësve centristë të Macronit, që tashmë kanë bërë aleancë me partinë konservatore të Barnierit dhe aleanca e krahut të majtë, NFP dhe Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë.
NFP-ja ka thënë se do të ngrehë mocion të mosbesimit ndaj çdo ekzekutivi që nuk udhëhiqet nga ta, por kjo aleancë nuk ka arritur të krijojë shumicën në Parlament.
Deri më 1 tetor është afati kur Qeveria duhet të paraqesë një draft-buxhet për vitin 2025 dhe Barnier është nën presion që ta krijojë kabinetin qeverisës./REL/