Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Çka nënkupton për dialogun Kosovë-Serbi aktakuza zyrtare ndaj Millan Radoiçiq?

Çka nënkupton për dialogun Kosovë-Serbi aktakuza zyrtare ndaj Millan Radoiçiq?

Shkruan: Afrim Kasolli

Prokuroria speciale e Kosovës sot gjatë një koherence për shtyp ka njoftuar opinionin, se ka ngritur aktakuzë, ndaj 45 personave në mesin e tyre, edhe Millan Radoiçiqit, për sulmin 24 shtatorit në fshatin Banjë të pjesës veriore. Disa nga pikat e kësaj aktakuze përfshijnë vepra penale “që ndërlidhen me terrorizëm: konkretisht vepra penale kundër rendit kushtetues, financimit të terrorizmit dhe të shpërlarjes së parave. Në fund zyrtarët e Prokurorisë n arsyetua se u është dashur të presin gati 1 vit, për shkak të pranimit të rezultateve të ekzaminimeve jashtë vendit. Vonesë kjo ndaj së cilës kishte reaguar disa herë kryeministri Kurti duke e akuzuar prokurorinë për standarde të dyfishta.

Ky agresion kishte shkaktuar jo pak telashe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut që zhvillohet në Bruksel. Prandaj, është e kuptueshme që edhe kjo aktakuzë pritet që të ketë implikime politike në këtë proces.

Fillimisht, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe krye parlamentari Konjufca ishin shprehur kategorisht kundër vazhdimit të këtij dialogu, për aq kohë sa Serbia nuk ndëshkohet dhe sanksionohet ndërkombëtarisht. Megjithatë, ky proces nuk u ndal.

Kritikës nga Kosova, se pse nuk po ndëshkohet Serbia, zyrtarët e BE-së i përgjigjeshin se nuk kanë ende raport zyrtar nga shteti i Kosovës që dëshmon përgjegjësinë e këtij shteti në këtë sulm. I cili përndryshe shënonte edhe një shkelje dhe shpërfillje flagrante të Marrëveshjes bazike të Brukselit për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve përkatësisht nenit 3 të saj. ku thuhet tekstualisht se “më përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forces”

Në anën tjetër, edhe vet, Radoiçiq-i pak pas sulmit e kishte marrë përgjegjësinë për këtë ngjarje dhe kishte ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, ndonëse ishte arsyetuar se autoritetet shtetërore serbe nuk kanë pasur informata për orkestrimin e këtij sulmi . Po ashtu, ai fillimisht ishte arrestuar dhe më pastaj liruar, me aktakuzën nga Prokuroria serbe për “përfshirje në trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme. Atij iu ndalua, po ashtu, shkuarja në Kosovë”.

Ndërkohë, Kosova në vazhdimësi ka kërkuar ekstradimin dhe dorëzimin e tij në para autoriteteve shtetërore. Madje, në takimin e fundit të paraparë në procesin e dialogut ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuciq, kjo kërkese se bashku me tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, dërguar BE-së, ku ajo deklarohej se shteti i saj, nuk do t’i zbatonte të gjitha pikat e marrëveshjes me Kosovën me theks të veçantë, atë për të mos e penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe nënshkrimin e të njëjtës si parakusht për vazhdimin e këtij procesi. Mirëpo,plotësimi i kërkesës së parë nuk mund të behej pa formalizmin e aktakuzës së Prokurorisë. Sepse proceduralisht është kjo e cila i inicion këtë kërkesë, ajo miratohet nga gjykata dhe dërgohet në Ministri të Drejtësisë, e cila e përcjell të Ministria e Drejtësisë së Serbisë. Po ashtu, sa i përket ndëshkimit ndërkombëtar të Serbisë mbetet të shihet se sa janë siguruar prova edhe për përfshirje të drejtpërdrejtë të këtij shteti, nga e cila do të varej edhe fati i mëtejmë i marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Para pak dite presidentja Osmani në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, deklaroi se këto dëshmi ekzistojnë nga hetimet që i ka kryer një shtet mik i vendit tonë, por të cilat nuk janë bërë publike. Dhe sipas saj urdhrin për këtë agresion e kishte dhënë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuqic

Në anën tjetër, diplomatë ndërkombëtarë asnjëherë nuk janë shprehur solidar me kërkesën e Kosovës për këtë ekstradim. Kohë më parë, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier në një intervistë në Rubikon, e kishte përsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se “Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata që ishin të përfshirë në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska. Dhe se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radoiçiq është i njohur. Ai është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional”. Po ashtu, se drejtuesi i grupit paramilitar terrorist Milan Radoeciq, duhet të jap llogari për sulmin e 24 shtatorit u konfirmua edhe nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Por edhe i njëjti kishte thënë, se është jo-real ekstradimi i tij. Pra në një farë mënyrë, thuajse njëzëri këta diplomatë e mbronin opinionin se Milan Radoiciqit duhet të ndiqet penalisht, gjykohet dhe dënohet në Serbi.

Në këtë konspekt mbetet se kjo aktakuzë zyrtare e shtetit të Kosovës a do vështirësojë edhe më shumë procesin e dialogut, nëse Serbia nuk i përgjigjet thirrjes për dorëzimin e tij pasi të përfundojnë të gjitha procedurat, për ta hetuar dhe gjykuar atë në vendin e krimit. Dhe se çfarë qëndrimi do të mbajë edhe bashkësia ndërkombëtare? A do të mjaftohet me thirrjen e dënimit te tij në Serbi, apo do të ushtrojë presion te kjo e fundit për dorëzimin e tij në Kosovë? /TV Arbëria

Powered by WordPress