Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vazhdon denoncimi i moral i botës nga pushteti në Kosovë, këtë mision kësaj herë e mori Artane Rizvanolli

Vazhdon denoncimi i moral i botës nga pushteti në Kosovë, këtë mision kësaj herë e mori Artane Rizvanolli

Shkruan: Afrim Kasolli

Prej se është arritur momerandumi për partneritet strategjik, ndërmrjet Serbisë dhe Komisionit Evropian, lidhur më lëndët e para, përkatësisht shfrytëzimin e litiumit që gjendet në Serbi, nuk kanë munguar vlerësimet nga Qeveria e Kosovës, se ky akt paraqet kapitullim politik, demokratik dhe sakrifikim të vlerave morale të Bashkimit Evropian, përkatësisht Gjermanisë për interesa ekonomike dhe transaksionale.

Pra , në një farë mënyrë ky shtet me qëllim që ta ruajë aftësinë konkurruese në treg sidomos ndaj Kinës, po i kontribuon forcimit të regjimeve autokratike sikur se pushtetit të Aleksandër Vuciqit. Sulme të këtilla, e para i nisi ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, por ato nuk ndalen me kaq.

Këtij denoncimi moral dhe ideologjik të logjikës “anti-demokratike” të tregut kapitalist, iu kundërvu edhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli, si pjesëmarrëse në Forumin e Energjisë së Evropës Juglindore (SEEF 2024), që u mbajt para pak dite në Selanik të Greqisë. Ajo ndër të tjera ka pohuar se “lëndët e para si litiumi, nuk mund të sigurohen duke forcuar regjime autokratike me tendenca për destabilizimin e rajonit. Ajo ka vlerësuar se bashkëpunimi me partnerë me të cilët i ndajmë vlerat është tejet i rëndësishëm për sigurinë e energjisë të rajonit”.

Kështu, edhe në këtë rast u pa qartë se fokusi i saj kritik ishte Gjermania. Dhe kjo qasje reflekton si mjerimin e saj mendor, ashtu edhe përpjekjet don-kishoteske të pushtetit që përfaqëson për ta instruktuar moralisht botën se si duhet të sillet.

Madje, shto faktin se e njëjta deri më tani nuk ka dëshmuar aftësi për diskutime të kësaj natyre, por që tregon se vetëm ka shkuar e instruktuar se si të shfaqet me klishetë e subjektit të saj politik. Ndaj kësaj qasje reagoi edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Mario Sarrazin, në një intervistë për mediumin Koha Vizion, kur pohoi “se është e leverdishme shumë për Evropën ta ketë autonominë e vet në të ardhmen, nga fuqitë siç është Kina, si dhe largimi nga lëndët djegëse fosile, pra nga Rusia. Por, po ashtu serbët kanë nevojë që ta kenë një partner të besueshëm dhe të mirë që do të sillte përfitime zinxhirore me vlerë për shtetin e vet dhe shpresojnë se Gjermania mund të ndihmojë që efekti mjedisor mund të behët në mënyrë pozitive” Kështu , përshtypja e krijuar në Kosovë, sipas tij “ se Gjermania ka nevojë shumë për Serbinë është gabim. Përkundrazi, e dyta ka interes shumë më shumë nga e para”.

Në anën tjetër, këtu nuk duhet harruar faktin se kjo marrëveshje ndërmjet këtyre dy vendeve është pjesë e strategjisë së diplomacisë së lëndëve të para që Komisioni Evropian ka nënshkruar edhe me vende tjera. Disa nga to janë demokratike e disa jo. Shumë nga këto janë edhe shtete të Afrikës, të njohura më shpërfillje të standardeve demokratike. Mirëpo, për shkak të konkurrencës së ashpër për këto minerale, Perëndimi nuk e ka pasur luksin të pres deri sa ato të demokratizohen.

Sidoqoftë, pushteti në Kosovë, pasi e ka humbur ritmin në shume procese ndërkombëtare, e ka izoluar vendin, vendosur nën masa sanksionuese, nuk i ka mbetur tjetër, vetëm të sajojë “kryqëzata morale” ndaj botës. Se si të gjitha këto vende tashme i kanë braktisur idealet demokratike. Prandaj, Kosova qëndron kështjella e fundit e këtyre parimeve, për çka edhe po ndëshkohet. Dhe kush shpall kumte të tilla? Një pushtet i njohur për importimin e rrymës nga Serbia.

Për fund kjo “kalorëse e virtyteve” mund t’i kuptojë disonancat e saj doktrinare vetëm nëse reflekton mbi përdorimin e telefonit mobil që mund ta ketë në dorë. Pa përjashtuar kompjuterin e punës etj. Sepse dihet se si përfitohen disa nga pajisjet e këtyre mjeteve. Kryesisht, nga shtete nga kontinenti afrikan dhe në kushte të tmerrshme. Prandaj, sot ka një lëvizje kundër përdorimit të pajisjeve të tilla si parakusht për korrigjimin e kësaj padrejtësie. Apo ajo edhe nëse njëherë ka përdorur parfum duhet ta dijë se i ka kontribuar fuqizimit të anës së errët të kësaj industrie. Pasi është e ditur se materiali bazë për prodhimin e tij nxirret plantacionet e mbushura me lulen Jasemin, në shtetin e Egjiptit. Ku kryesisht në vjeljen e saj janë të angazhuar fëmijë të moshës nën 18 vjet. Dhe përkujdesja e saj edhe momentale kozmetike, i kontribuar fuqizimit të kësaj padrejtësie që e prodhon tregu global. /TV Arbëria

Powered by WordPress