Kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvëndësen e tij, Donika Gërvalla-Schëarz dhe zëvendës-shefen e Misionit të SHBA-së në Kosovë, Anu Pratipati, bënë sot homazhe dhe vendosën lule pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 Shtatorit, që ndodhën në vitin 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç njoftoi Zyra e Kryeministrit, në përkujtim të viktimave të atij sulmi mizor e terrorist kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kurti u shpreh se sot kujtimi ynë shkon për viktimat, si dhe solidariteti ynë me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre.
Kurti më tej kujtoi se në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj.
Ai shtoi se terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan, secilit qytetar liridashës, i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie, që nuk diskriminon asnjeri.
“Republika e Kosovës qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin, aleancën dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit,” përfundoi kryeministri.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jemi këtu bashkë me zëvendëskryeministren, me ministra e zëvendësministra, dhe me zëvendës ambasadoren amerikane për të nderuar viktimat e 11 Shtatorit 2001, viktimat e atij sulmi mizor e terrorist kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kujtimi ynë shkon për viktimat, solidariteti ynë me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre, dhe gjithashtu bashkëpunimi ynë me qeveritë demokratike anembanë botës të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftë kundër terrorizmit.
Para 23 viteve, 2977-të qytetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kullat Binjake, në Pentagon, në katër avionët dhe 403 zjarrfikës e policë, duke provuar t’i shpëtojnë ata, humbën jetën, ranë heroikisht dhe shënuan një datë e cila sot paraqet edhe një epokë të re, që prej atëherë, sepse terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë, dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan e do të thosha secilit qytetar liridashës i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie që nuk diskriminon asnjeri.
Në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë që gjithashtu i kujtojmë, të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj.
Republika e Kosovës qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin, aleancën, dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit.
Nderime dhe lavdi të gjitha viktimave dhe qëndresës e sakrificës së zjarrfikësve dhe policëve amerikanë!