Kryeministri Albin Kurti bashkë me kreun e ministrisë së Punëve të Brendshme kanë qëndruar sot në Veri të vendit ku edhe kanë vendosur gurthemelet e objektit të ri në fshatin Leshak të Leposaviqit, e ku do të akomodohen Agjencia e Regjistrimit Civil dhe nën-stacioni i Policisë së Kosovës.
“Objekti i ri do të ofrojë kushte të mira të punës për punonjësit publikë të ARC-së dhe zyrtarëve policorë të cilët do të jenë në nivel më të lartë të detyrës dhe përgjegjësive për të shërbyer të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Kurti, siç njofton ZKM është shprehur se “Qeveria e Republikës së Kosovës është e interesuar që shërbimet publike të jenë sa më cilësore dhe sa më afër qytetarëve, pa dallim”.