Një autobus i agjencisë “Elita Tours”, i cili po transportonte pensionistët e Kaçanikut në një udhëtim drejt Shqipërisë, është përfshirë në një aksident në rrugën Carralevë-Duhël të martën në mëngjes.
Tre persona u lënduan nga përplasja mes autobusit dhe një kamioni, tha Policia e Kosovës.
Tre të lënduarit pranuan trajtim mjekësor në emergjencën e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Suharekë.
Pasagjerët, pensionistë nga Kaçaniku, kanë shpëtuar pa lëndime dhe janë transportuar në autobusin tjetër të kompanisë, tha sot agjencia “Elita Tours”.
Agjencia tha se ata janë nisur rrugës për në bregdetin shqiptar.
“Njoftohen te gjithe familjaret e pensionisteve te Kaqanikut te cilet kane qene duke udhetuar nga Kaqaniku ne drejtim te bregdetit Shqiptar, dhe gjate rruges kane pasur nje aksident mirpo fale zotit te gjithe pasagjeret jane mire dhe nuk kan lendime serioze ndersa pasagjeret jane transportuar me autobusin tjeter dhe jan rruges per ne bregdetin Shqiptar”, tha kompania.
Tre persona kanë mbetur të lënduar nga një aksident mes një autobusi dhe një kamioni në rrugën Carralevë-Duhël .
Të lënduarit janë dërguar në QKMF-në e Suharekës, ndërsa u desh intervenimi i zjarrfikësve për të nxjerrë pasagjerët meqë autobusi ra në krah.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Sot me datë 10.09.2024, rreth orës 07:11 është raportuar për një aksident trafiku në rrugën Carralevë-Duhël. Në aksident janë të përfshirë një autobus dhe një kamion. Si pasojë e aksidentit së paku tre persona kanë pësuar lëndime të lehta trupor dhe janë transportuar për në emergjencë në QKMF në Suharekë. Policia ka dalë vendngjarje dhe është duke u marrë me rastin. Pasi që autobusi është rrotulluar në krah kanë intervenuar edhe zjarrfikësit për t’i nxjerrë pasagjerët”.