Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Si do të funksionojë përdorimi i dronëve në Shqipëri

Si do të funksionojë përdorimi i dronëve në Shqipëri

Në fillim të muajit mars, dronët “Bayraktar”, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, mbërritën për herë të parë në Shqipëri.

Të hënën e 9 shtatorit, u botua në fletoren zyrtare vendimi për përdorimin e tyre, së bashku me disa detaje për funksionimin e dronëve.

Fillimisht, bëhet me dije se institucionet që mund të kërkojnë shërbimet e mjeteve ajrore pa pilot të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, janë: Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë, Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi, Ministria për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Ministria për Turizmin dhe Mjedisin.

Mes të tjerash përfshihen edhe institucione si: Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor dhe Qendra e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Kësisoj, këto autoritete shtetërore kanë të drejtë të përdorin imazhet filmike, fotografike dhe të dhënat e tjera të përftuara nga mjetet ajrore pa pilot.

Imazhet filmike, fotografike dhe të dhënat e tjera të përftuara nga sistemi i dronëve do të shfaqen në një hapësirë të dedikuar komandim-kontrolli në një nga vend-dislokimet e Forcave të Armatosura.

Kjo, duke respektuar rregullat e informacionit të klasifikuar dhe të përdorimit të të dhënave personale.

Shpenzimet financiare për përdorimin e dronëve në mbështetje të institucioneve të tjera shtetërore do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

Përdorimi i këtyre mjeteve ajrore do jetë me synimin për mbikëqyrjen e territorit për të zbuluar dhe parandaluar aktivitete të paligjshme, si: kultivimi i bimëve narkotike, kontrabanda, emigracioni i paligjshëm, shkeljet territoriale, si dhe përdorimi i paautorizuar i burimeve ujore;

Një tjetër përdorim i dronëve do të bëhet edhe për monitorimin e kufijve apo monitorimin e vijës bregdetare.

Dronët do të jenë në përdorim po ashtu edhe për mbështetjen në reagim të emergjencave civile në raste tërmetesh, uraganesh, përmbytjesh dhe zjarresh.

Këto mjete ajrore pa pilot do të monitorojnë sakaq, vatrat e zjarrit për të gjurmuar përparimin e tyre dhe për të identifikuar pikat e nxehta.

Disa funksione të tjera lidhen me zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit (SAR) në gjetjen e të mbijetuarve, inspektimin vizual nga ajri të infrastrukturës kritike kombëtare, mbështetjen e operacioneve të rëndësishme policore në zbatim të një plani kombëtar veprimi ose strategjie të miratuar sipas ligjit apo edhe monitorimin dhe inspektimin e situatës ndërtimore në të gjithë territorin, duke përfshirë zonat me rëndësi kombëtare, monumentet e kulturës, etj.