Pas nëntë muajsh pa takime, me 26 qershor të këtij viti ishte caktuar që në kuadër të procesit të dialogut, të takoheshin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por që ky takim mes dy vendeve kishte dështuar të mbahej, shkruan TV Arbëria.
Në Bruksel në këtë datë u zhvilluan, vetëm takime dypalëshe mes BE-së dhe palëve, ku kryeministri Kurti paraqiti edhe disa kërkesa, ato ishin: formalizimi i marrëveshjes bazë përmes nënshkrimit nga krerët e shteteve. Kërkesa e dytë, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq. Dhe e fundit, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Ndërsa takimi i fundit mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimit për Kosovë dhe Petar Petkoviç për Serbinë, u mbajt me 4 korrik të këtij viti, por pa ndonjë rezultat.
Së fundmi me 6 shtator, javën që shkoi, Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, realizojë një vizitë në Kosovë, ku u takua me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ky takim u mbajt për përgatitjen e takimit në nivel kryenegociatorësh, ku Lajçak në prononcimin për media pas takimit, tha se u morrën vesh për një datë, por që nuk e zbuloi.
Lidhur me temën e dialogut, ka folur ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ajo në një përgjigje për TV Arbëria ka thënë se dialogu i Brukselit ka dëshmuar se nuk udhëhiqet nga parimi i barazisë së palëvë.
“Dialogu i Lajçakut është shndërruar në mekanizëm për avancim të Serbisë agresore në kurriz të Kosovës!”.
“Ka kohë që dialogu i Brukselit është totalisht i pastrukturuar në prioritete, i padefinuar në afat kohor, dhe i paqartësuar në qëllim final. Për më keq, ky dialog ka dëshmuar se NUK udhëhiqet nga parimi i barazisë së palëve, nuk ka mekanizëm për mbikëqyrjen e implementimit të marrëveshjeve ekzistuese, dhe rrjedhimisht – as masa të qarta ndëshkuese për palët që i bëjnë obstruksione paqes, stabilitetit, dhe normalizimit. Madje BE nuk e ka të qartë fare as çka në të vërtetë nënkupton normalizimi si qëllim: a është njohje reciproke apo është qëllim abstrakt, asnjëherë i arritshëm?! Prandaj – ka shumë vite që kërkoj riformatimin e dialogut – ku Kosova përmes komunikimit të rafinuar diplomatik do të mund të transmetonte unitetin politik qartë dhe saktë përballë Serbisë, kërkesat e qëllimet tona shtetërore në këtë dialog, dhe parimet e panegociueshme mbi të cilat nuk negociojmë”, ka thënë ajo për TV Arbëria.
Haradinaj-Stublla tutje përmend edhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku thotë se dialogu i Lajçakut dështoi pas këtij sulmi, si dhe shtoi se Serbia si agresore vazhdimisht po e avancon pozitën e saj evropiane në kurriz të Kosovës.
“Tani që për shumë pak ditë do të shënojmë edhe 1 vjetorin e krimit të agresionit të Serbisë mbi Republikën e Kosovës që ndodhi në Banjskë, do të duhej të nxjerrim edhe mësimet: dialogu i Lajcakut dështoi kur ndodhi agresioni i Banjskës, për të cilën Serbia mbeti e pasfiduar, e pandëshkuar, dhe e pasanksionuar. Prandaj Kosova nuk do të duhej të jetë pjesëmarrëse e pabarabartë në një dialog të çakorduar e të përhershëm, përmes së cilit Serbia si agresore vazhdimisht avancon pozitën e saj evropiane në kurriz të Kosovës. Por kjo – nuk arrihet pa unitet e front të përbashkët politik përballë Serbisë – që fatkeqësisht tash e sa vite Kosova nuk po arrinë t’a ndërtojë!’, ka thënë Meliza Haradinaj-Stublla. /TV Arbëria