“E plagosi”. “E vrau”. “E goditi me kaçavidë”…
Pse? Sepse – në pjesën dërrmuese të rasteve – viktima “i ngacmoi partneren”.
Aq shumë lajme qarkullojnë në ditë për ngjarje kriminale në vend, sa po aq shpejt edhe harrohen. Çka nuk harrohet është lajtmotivi i tyre: vetëgjyqësia.
Mos ndoshta po ‘normalizohet’, po merret si e mirëqenë marrja hak si e drejtë? Mos ndoshta ‘hak pa larë e gjak pa marrë s’ka’ po kthehet në objektiv?
Mungesa e besueshmërisë në institucionet shtetërore dhe mungesa e zbatimit të ligjeve, janë dy piketat e vëna nga sociologia Marsi Simo gjatë intervistës për Albanian Post lidhur me këtë fenomen shqetësues të shoqërisë sonë.
“Mungesa e besueshmërisë në institucionet qeveritare i bën individët të mos e raportojnë dhunën. Nga ana tjetër, disponueshmëria e armëve të paligjshme e bën më të lehtë kryerjen e krimeve”, vëren ajo.
Sakaq, sërish është shënuar një plagosje në Tiranë, në Don Bosko, ku dy persona mbetën të plagosur.
Plagosje pas plagosjeje, në rrugë me qarkullim, aspak të fjetura, në vendndodhje ku gjenden (dhe aksidentalisht dëmtohen) njerëz të tjerë të pafajshëm, të cilët nuk janë në shënjestër të autorëve të krimit.
Krim në mes të qytetit.
Dhe për Simon, e gjitha kjo tablo përshkohet nga gjurmët e pandëshkueshmërisë.
“Në disa raste edhe mungesa e zbatimit të rreptë të ligjit apo pandëshkueshmëria krijon një perceptim të vetëgjyqësisë”.
Sipas saj, pandëshkueshmëria krijon perceptimin se njerëzit duhet të bëjnë vetëgjyqësi dhe më pas ata shkelin çfarëdolloj kufiri.
“Nuk arrijnë ta mendojnë gjatë vendin se ku ndodhen, por vetëm aktin që do të kryejnë, atë që kanë vendosur të bëjnë. Kryesorja është vetëgjyqësia, të tjerat nuk kanë rëndësi për ta”.
Sa i përket rasteve specifike të këtyre javëve, ku në qendër të ‘hakmarrjes’ është ngacmimi ndaj partnereve të autorëve të krimit, ka një kombinim faktorësh shoqëror-kulturorë, sipas sociologes Simo: normat patriarkale dhe mentaliteti që ende ekziston për gruan.
“Këto krime, sipas autorëve, kryen si qëllim për të ruajtur nderin, ndaj shkelja e nderit konsiderohet fyerje, të cilën e rivendosin me dhunë”, dallon ajo.
Po ashtu ajo është ndalur edhe te mendësia e përgjithshme se marrëdhëniet e shëndetshme drejtohet nga dominimi.
“Kemi një mendësi se marrëdhëniet e shëndetshme bashkëshortore kanë xhelozi apo dhe dominim. Kjo jo vetëm që nuk është e vërtetë, por është tregues se marrëdhënia nuk është e qëndrueshme dhe me pasoja në vijim”.
Por cili është faktori kyç që ndikon?
Simo thotë se duhet të pranojmë që në disa zona në vendin tonë është ende e pranishme kultura e hakmarrjes.
“Kjo vjen si pasojë e zgjidhjes së konflikteve brenda individëve ose rrethit, apo si një drejtësi që i përket vetëm personave në konflikt”.
Po ashtu edhe tensionet ekonomike që kanë sjellë pasiguri për të ardhmen, mungesa e perspektivës, nxit në vazhdim dhunën, vijon Simo.
“Ne patëm një sezon veror me shumë krime. Përveç shumë arsyeve psiko-sociale që e karakterizojnë vendin tonë, do të theksoja se zakonisht në periudhën e verës ka më shumë mundësi për të ndodhur krime”.
Kjo – sipas sociologes – lidhet me faktin se ka emigrantë që kthehen, ku disa prej tyre kanë ende çështje të pazgjidhura, njerëzit kalojnë më shumë kohë jashtë shtëpisë e si pasojë kanë më shumë ndërveprime me njëri-tjetrin se muajt e tjerë, si dhe përdorimi i alkoolit dhe drogës është më i lartë.
Një temë tjetër me rëndësi, që ndërlidhet me këtë fenomen, është edhe ndikimi që ngjarje të tilla kriminale dhe rrjedhimisht lajmet e kronikës së zezë pas tyre, ndikojnë në opinionin publik. Se si ndikojnë te ata që i dëgjojnë dhe lexojnë për to.
Simo, në lidhje më këtë aspekt, thekson se ekspozimi për një kohë të gjatë me lajme me përmbajtje dhune ndikon në shumë aspekte psiko-sociale te audienca apo te personat që punojnë për raportimin e tyre.
“Së pari, do të përmendja rritjen e ankthit duke bërë që këta persona të ndihen vazhdimisht më të pasigurt. Si vijim mund të çojë në një perspektivë më të errët dhe pesimiste për realitetin”.
Në këtë kuptim, ajo veçon se ata mund të krijojnë besimin se shoqëria ku jetojnë është një vend i rrezikshëm dhe i pashpresë.
“Kështu preket shëndeti mendor, duke përkeqësuar depresionin, stresin post-traumatik dhe çrregullimet e tjera mendore”.
Po ashtu sociologia vijon duke thënë se ekspozimi i vazhdueshëm me lajmet me përmbajtje dhune mund të çojë edhe në desensibilizim ndaj dhunës, duke e bërë më të pranueshme dhunën, madje edhe si pjesë e normalitetit.
“Sidomos te fëmijët dhe adoleshentët, apo edhe te të rinjtë, mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e tyre emocional dhe social, duke rritur agresivitetin ose duke shkaktuar frikë dhe mosbesim ndaj të tjerëve”.