Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Garë e ngushtë mes Trump dhe Harris, ja çfarë tregon sondazhi i fundit

Garë e ngushtë mes Trump dhe Harris, ja çfarë tregon sondazhi i fundit

Në Shtetet e Bashkuara, kandidati republikan për president Donald Trump dhe rivalja e tij demokrate, Nënpresidentja Kamala Harris, kanë të njëjtin nivel mbështetjeje në javët e fundit të zgjedhjeve, sipas një sondazhi kombëtar të kryer nga gazeta New York Times dhe Universiteti Siena.

Sipas sondazhit të publikuar të dielën, zoti Trump është një për qind përpara zonjës Harris, 48% me 47%, një ndryshim që është brenda kufirit statistikor të gabimit për sondazhet.

Megjithëse fushata e zotit Trump pati disa javë të vështira pasi Presidenti demokrat Joe Biden u tërhoq nga gara në korrik, sondazhi më i fundit tregon se ai gëzon mbështetjen e fortë të bazës së tij.

Sondazhi tregon qartë se votuesit mendojnë se u duhet ta njohin më mirë zonjën Harris, ndërsa mendimet e tyre për zotin Trump janë kryesisht të përcaktuara.

Në sondazh, 28% e votuesve të mundshëm thanë se kishin nevojë për më shumë informacion për kandidaten demokrate, ndërsa vetëm 9% thanë të njëjtën gjë për zotin Trump.

Sondazhi tregon se debati presidencial i së martës mund të jetë një moment vendimtar. Nënpresidentja Harris do të ketë mundësinë të japë më shumë detaje për politikat e saj kur të përballet me ish-Presidentin Trump për 90 minuta.

Gara është aq e ngushtë sa që edhe një rritje e lehtë e mbështetjes për secilin nga kandidatët do të ishte domethënëse. Që kur zonja Harris zëvendësoi zotin Biden si kandidate demokrate gjatë verës, ajo ka bërë fushatë intensive, por i ka pasur të kufizuara intervistat me mediat.

Përfundimet e sondazhit të fundit janë të ngjashme me ato të sondazhit të kaluar nga New York Times dhe Universiteti Siena, publikuar në fund të korrikut. Sondazhet në shtatë shtetet që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve, kanë treguar gjithashtu vazhdimisht një garë shumë të ngushtë.

Powered by WordPress