Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Sulm me armë në vendkalimin kufitar Bregu Perëndimor-Jordani, vriten 3 izraelitë

Sulm me armë në vendkalimin kufitar Bregu Perëndimor-Jordani, vriten 3 izraelitë

Zyrtarët izraelitë thanë se tre persona u qëlluan për vdekje në pikën kufitare midis Bregut Perëndimor dhe Jordanisë. Ushtria tha se një person i armatosur iu afrua urës Allenby nga ana jordaneze me një kamion dhe hapi zjarr ndaj forcave izraelite të sigurisë, të cilat më pas vranë sulmuesin. Sipas njoftimit viktimat ishin civilë izraelitë.

Tre izraelitë u vranë të dielën në pikën kufitare midis Bregut Perëndimor dhe Jordanisë, thanë zyrtarët izraelitë, në një sulm që dukej të kishte lidhje me luftën në Gazë.

Sipas njoftimit të ushtrisë personi i armatosur iu afrua urës Allenby nga ana jordaneze me një kamion dhe hapi zjarr ndaj forcave izraelite të sigurisë, të cilët vranë më pas sulmuesin në një shkëmbim zjarri. Tre personat e vrarë ishin civilë izraelitë.

Jordania po heton ngjarjen, njoftoi agjencia e saj shtetërore e lajmeve Petra. Ky vend, aleat i Perëndimit bëri paqe me Izraelin në vitin 1994, por është thellësisht kritik ndaj politikave të Izraelit ndaj palestinezëve. Jordania ka një popullsi të madhe palestineze dhe në këtë vend janë zhvilluar protesta masive kundër Izraelit për luftën në Gazë.

Pika kufitare Allenby mbi lumin Jordan, e njohur gjithashtu si Ura e Mbretit Husein, përdoret kryesisht nga palestinezët dhe turistët ndërkombëtarë, si dhe për dërgesat e mallrave. Autoritetet në Izrael dhe Jordani thanë se kalimi ishte i mbyllur deri në një njoftim të dytë ndërsa Izraeli më vonë njoftoi mbylljen e të dy kalimeve tokësore me Jordaninë.

“Kjo është një ditë e vështirë. Një terrorist vrau me gjakftohtësi tre nga civilët tanë në Urën Allenby. Në emër të qeverisë u dërgoj ngushëllimet e mia familjeve të të vrarëve”, deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Ndërkohë në Gazë, ku lufta hyri në muajin e 12-të, sipas autoriteteve lokale një sulm ajror izraelit herët të dielën vrau pesë persona, duke përfshirë dy gra, dy fëmijë dhe një zyrtar të lartë në Mbrojtjen Civile, reaguesit e parë që operojnë nën qeverinë e drejtuar nga grupi militant Hamas.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës që drejtohet nga Hamasi thotë se mbi 40 mijë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës, ndërsa në të dhënat që jep nuk bën dallime midis luftëtarëve dhe civilëve. Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të territorit dhe rreth 90% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës është zhvendosur disa herë.

Militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, në sulmin e tyre të 7 tetorit në Izraelin jugor. Ata rrëmbyen 250 të tjerë dhe ende po mbajnë rreth 100 pengje. Rreth një e treta e pengjeve të mbetura brenda Gazës besohet se kanë vdekur.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti kanë kaluar muaj duke u përpjekur për të ndërmjetësuar një armëpushim dhe kthimin e pengjeve, por negociatat kanë ngecur vazhdimisht./VOA

Powered by WordPress