Dy luftanije gjermane do të kalojnë nëpër ngushticën e Tajvanit këtë muaj, hera e parë në 22 vjet që marina ushtarake gjermane viziton këtë rajon të ndjeshëm, njoftoi të shtunën revista Spiegel.
Muajin e kaluar, agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se luftanijet po prisnin urdhra nga Berlini për të lundruar në zonën e ndjeshme, duke bërë që Kina të kritikonte vendimin e Gjermanisë.
Revista Spiegel citoi burime të paspecifikuara të kenë thënë se Pekini nuk do të njoftohej zyrtarisht për kalimin e anijeve gjermane, çka nënkupton se Berlini e sheh udhëtimin si diçka normale. Ministria gjermane e mbrojtjes nuk pranoi të komentonte.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, përfshirë Kanadanë, kanë dërguar anije luftarake nëpër ngushticën e Tajvanit gjatë javëve të fundit, kjo do të shënonte praninë e parë të marinës gjermane në rajon që nga viti 2002.
Kina pretendon se ka sovranitet mbi Tajvanin e qeverisur në rrugë demokratike dhe thotë se ka juridiksion mbi rrugën detare, gati 180 km të gjerë, mes Tajvanit dhe Kinës. Tajvani i kundërshton me forcë pretendimet e Kinës për sovranitet dhe thotë se vetëm banorët e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.
Ngushtica e Tajvanit është një rrugë kryesore tregtare përmes së cilës kalojnë rreth gjysma e anijeve me kontejnerë. Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Tajvani thonë se ajo është një rrugë ujore ndërkombëtare.
Kundëradmirali i marinës detare gjermane, Axel Schulz, i tha muajin e kaluar agjencisë së lajmeve Reuters se një lundrim në ngushticën e Tajvanit do të tregonte përkushtimin e Gjermanisë ndaj një rendi të bazuar në rregulla dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve territoriale.
Dy luftanijet gjermane po marrin pjesë në një stërvitje të përbashkët në rajon me Francën, Indonezinë, Italinë, Japoninë, Malajzinë, Singaporin, Filipinet dhe Shtetet e Bashkuara.
Pekini i kritikon rregullisht kalimet e anijeve të huaja luftarake nëpër ngushticën e Tajvanit, i cili thotë “minojnë paqen dhe stabilitetin” në rajon.
Gjermania, një partner i rëndësishëm tregtar për Kinën dhe Tajvanin, i është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në zgjerimin e pranisë së saj ushtarake në rajon në përgjigje të ambicieve territoriale në rritje të Pekinit./ VOA/