Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Ivica Daçiq në vizitë zyrtare në Kinë

Ivica Daçiq në vizitë zyrtare në Kinë

 

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, është nisur për një vizitë zyrtare në Kinë të shtunën.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se ai do të marrë pjesë në Forumin Global për Bashkëpunim dhe Siguri Publike në Lianyungang, ku do të bisedojë me ministrin e Sigurisë Publike të Kinës, Wang Xiaohong.

Ai pritet t’i vizitojë edhe oficerët e policisë serbe të cilët po punojnë me kolegët e tyre kinezë në patrullime të përbashkëta.

Në tri vjetët e fundit, policë nga Kina dhe kolegët e tyre nga Serbia kanë patrulluar në Beograd, Novi Sad dhe Smederevë, qytetet më të vizituara nga turistët kinezë në Serbi.

Daçiq do të marrë pjesë edhe në stërvitjet e njësive speciale të policisë në Guangzhou, sipas MPB-së serbe.

Serbia i ka forcuar marrëdhëniet me Kinën prej se Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandër Vuçiq erdhi në pushtet në vitin 2012.

Presidenti kinez, Xi Jinping, e vizitoi Beogradin në maj, për herë të dytë në dhjetë vjetët e fundit.

Kina dhe Serbia, e cila ka qenë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian për më shumë se një dekadë, nënshkruan një deklaratë për partneritetin strategjik mes dy vendeve në vitin 2016.

Shtatë vjet më vonë, Pekini dhe Beogradi nënshkruan një marrëveshje për tregti të lirë.

Vitet e fundit, Kina ka bërë investime të shumta në Serbi, më të mëdhatë prej të cilave janë në fabrikën e hekurit dhe çelikut në Smederevë dhe fabrikën e gomave Linglong në Zrenjanin.

Në Serbi, Kina e ndërtoi urën e Beogradit Pupin përtej Lumit të Danubit./REL/

Powered by WordPress